Regjistrimi i votuesve nga diaspora, zëdhënësi i KQZ-së: Në sistem janë futur rreth 130 mijë aplikacione
- 27.01.2021

Shërbimi votues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është duke vazhduar me shqyrtimin, verifikimin dhe regjistrimin e aplikacioneve të cilat janë pranuar deri më 21 janar.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për IndeksOnlinen se deri në mesditën e sotme (e mërkurë, 27 janar) në sistem janë futur rreth 130 mijë aplikacione për regjistrim, ndërsa deri tani janë aprovuar rreth 46 mijë. Sipas të dhënave nga shërbimi votues janë edhe 27 mijë e-maila të pahapura.
“Vetëm pas përfundimit të të gjithë kësaj periudhe të shqyrtimit, vlerësimit dhe verifikimit të aplikacioneve, në fund do të kemi një raport të detajuar ku do ta dijmë saktë se sa është numri i aplikimeve për t’u regjistruar si votues jashtë vendit dhe se sa prej do të regjistrohen suksesshëm pasi kanë plotësuar kriteret ligjore”, ka thënë Elezi.
Të gjithë qytetarët të cilët regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës do të mundet të votojnë përmes postës duke filluar më 2 shkurt. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më 12 shkurt.