Vetëm pak minuta para afatit, VV-ja ende pa aplikim zyrtar në KQZ

07.05.2026

Sonte në mesnatë përfundon afati për partitë politike që të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit, si dhe për deklarimin e koalicioneve.

Deri në orët e mbrëmjes së 7 majit, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen në zgjedhje, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka bërë një njoftim zyrtar në KQZ.

Në anën tjetër, Aleanca Kosova e Re ka njoftuar se nuk do të garojë në këto zgjedhje.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri të enjten në mbrëmje, KQZ ka pranuar njoftim për pjesëmarrje nga 22 parti politike, ndërsa 8 parti kanë deklaruar mospjesëmarrjen.

Po ashtu, janë regjistruar edhe dy koalicione zgjedhore të përbëra nga pesë parti politike.

Sipas të dhënave të KQZ-së, ndër partitë që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë edhe Partia Socialdemokrate, Srpska Lista, Fjala dhe disa subjekte të komuniteteve joshumicë. Ndërkaq, përveç AKR-së, pjesëmarrjen e kanë refuzuar edhe Partia e Drejtësisë, Balli Kombëtar i Kosovës dhe disa subjekte tjera politike.

KQZ ka bërë të ditur se procesi i deklarimit për pjesëmarrje është i ndarë nga procesi i certifikimit të subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë. Afati për certifikimin e koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur përfundon më 10 maj, ndërsa dorëzimi i listave të kandidatëve më 12 maj 2026.