Hoxhaj nga shtëpia e të moshuarve në Gjinoc: Në qeverinë e rimëkëmbjes rriten pensionet 30%, barna falas

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ka vizituar sot shtëpinë e të moshuarve “Jetimat e Ballkanit” në Gjinoc të Suharekës.

Hoxhaj ka thënë se të moshuarit dhe krijimi i kushteve të dinjitetshme për ta janë prioritet i qeverisjes së tij. Në qeverisjen e tij, Hoxhaj ka thënë se do të ketë rritje të pensioneve në varësi të kategorive. Hoxhaj ka deklaruar se Qeveria e udhëhequr nga ai do të mbështesë aktivitetet e humanistit Halil Kastrati.

“E sigurova Kastratin se qeveria që do ta udhëheq unë dhe kolegët e mi nga PDK në të ardhmen do ta mbështetë financiarisht Kastratin në punën e tij humaniste në nivel të vendit që të ndërtohen qendra të tilla të njëjta edhe në pjesë të tjera të Kosovës me mision të njëjtë apo edhe me misione të tjera. Ajo çka ne angazhohemi si qeveri e ardhshme është që qytetarët tanë në moshë të kenë një jetë të dinjitetshme dhe është mrekulli ta shohësh një punë të tillë e bënë Kastrati prej shumë vitesh në nivel të vendit dhe këtu jemi edhe ta falënderojmë edhe ta përgëzojmë dhe t’i ofrojmë të ardhmen mbështetje të mirëfilltë si qeveri e ardhshme”, tha ai.

Nga ana tjetër, humanisti Halil Kastrati, duke falënderuar kandidatin për kryeministër nga PDK-ja, Enver Hoxhaj, ka thënë se pret që të jetë mbështetje nga qeveria e ardhshme.

“Shpresoj që vizitat e tilla të jenë më të shpeshta dhe të mundohemi ashtu siç kemi bashkëpunim me qeveritë lokale tanimë edhe me qendrën për projekte të tjera”, tha ai.

Nga aty, Hoxhaj ka vizituar qendrën e pensionistëve në Suharekë, ku bashkë me pensionistët zhvilluan një lojë shahu.

RAPORTO