Vdes një 29-vjeçar në Spitalin e Prizrenit, policia nis hetimet
Një ngjarje e rëndë është raportuar sot në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku një 29-vjeçar ka ndërruar jetë, pavarësisht përpjekjeve për t’i ofruar ndihmë mjekësore.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi rajonal i Policisë, Shaqir Bytyqi, i cili për media tha se, sipas informacioneve fillestare, gjendja shëndetësore e të riut është përkeqësuar teksa ndodhej në oborrin e spitalit, rreth orës 08:45 të mëngjesit të sotëm.
“Viktima, L.K., 29 vjeç, nga Prizreni, ishte duke u trajtuar në këtë institucion shëndetësor që nga data 23 korrik 2025”, deklaroi Bytyqi.
Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Policisë së Kosovës, të cilat kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e vdekjes.
Sipas Policisë, rasti aktualisht po trajtohet si ‘Hetim i vdekjes’ dhe, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Nuk dihen ende detaje shtesë mbi shkaqet e vdekjes, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet janë në proces.