Tejkalim i rrezikshëm në Prizren: Gjoba dhe masë ndaluese për tre muaj ndaj kundërvajtësit

13.08.2025

Policia e Kosovës ka ndëshkuar një shofer nga rrethina e Malishevës, pasi u identifikua si autor i një tejkalimi të rrezikshëm në vijë të plotë në rrugën magjistrale Prizren–Gjakovë, në fshatin Landovicë.

Rasti u bë publik pas një videoje të shpërndarë në rrjete sociale më 10 gusht 2025, ku shihej një veturë tip Mercedes, ngjyrë e bardhë, duke kryer manovrën e ndaluar. Patrulla e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren, në bashkëpunim me Stacionin Policor të Malishevës, arriti të identifikojë shoferin dhe të marrë masat ligjore.

Ndaj tij është shqiptuar një gjobë prej 200 eurosh dhe masë ndaluese e drejtimit të mjetit për një periudhë tre mujore për kundërvajtjen “tejkalim në zonën e ndaluar”. Lidhur me këtë masë ndaluese, përmes mekanizmit ILECU do të njoftohet edhe shteti i Zvicrës.

Policia e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj për rritjen e sigurisë në rrugë dhe ka ftuar qytetarët të respektojnë rregullat e trafikut, duke e konsideruar respektimin e tyre thelbësor për mbrojtjen e jetës dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.