Rritje e vizitorëve në Kosovë gjatë vitit 2024 – Prizreni shënon rënie, por mbetet destinacion i rëndësishëm
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë vitit 2024 janë regjistruar gjithsej 698.068 vizitorë në vendin tonë, prej të cilëve 39.3% janë vendorë, ndërsa 60.6% të huaj.
Foto: Ilustrim
Në nivel vendi, numri i vizitorëve vendorë është rritur me 4.2% krahasuar me vitin 2023. Megjithatë, net-qëndrimet e vizitorëve vendorë kanë pësuar një rënie prej -13.2%. Kjo do të thotë se ndonëse më shumë qytetarë të Kosovës kanë vizituar vendet turistike brenda vendit, ata kanë qëndruar për periudha më të shkurtra.
Ndërkohë, vizitorët e jashtëm kanë shënuar një rritje më të madhe prej 18.3%, duke arritur në 423.282 vizitorë, dhe net-qëndrimet e tyre janë rritur me 10.9%.
Sipas ASK-së, vizitorët e huaj që kanë ardhur më së shumti në Kosovë gjatë vitit 2024 ishin nga:
- Shqipëria (109.330 vizitorë, rritje 20.8%)
- Gjermania (46.775 vizitorë, rritje 13.8%)
- Zvicra (37.588 vizitorë, rritje 2.1%)
- Turqia (32.152 vizitorë, rritje 36.9%)
Po ashtu, sipas të dhënave të pikave kufitare, gjatë periudhës janar-dhjetor 2024 në Kosovë kanë hyrë 6.938.227 vizitorë të jashtëm.
Rajoni i Prizrenit shënon rënie – Suhareka mbetet pjesë e rëndësishme turistike
Edhe pse Prizreni mbetet një nga destinacionet më të njohura turistike në Kosovë dhe Suhareka si pjesë e këtij rajoni ka potencial të madh për turizëm malor dhe rural, në vitin 2024 është shënuar një rënie prej -15.3% të vizitorëve vendorë në Prizren, krahasuar me vitin paraprak. Gjithashtu, net-qëndrimet ranë me -9.5%, duke treguar për nevojën e strategjive më efikase për të mbajtur vizitorët më gjatë në rajon.
Prishtina dhe Peja në krye
Rajoni i Prishtinës ka pasur numrin më të madh të vizitorëve vendorë me gjithsej 205.405 vizita, duke dëshmuar për kapacitetin dhe atraktivitetin e kryeqytetit.
Në anën tjetër, për sa i përket net-qëndrimeve, rajoni i Pejës kryeson me 591.673 net-qëndrime, falë potencialit të madh të turizmit malor dhe aventurës që ofron kjo zonë.
Këto të dhëna ofrojnë një pasqyrë të qartë për zhvillimet turistike në Kosovë dhe theksojnë nevojën për investime të vazhdueshme në infrastrukturë dhe promovim turistik, sidomos në rajonet që kanë pësuar rënie si Prizreni dhe komunat përreth. Suhareka, me pozitën dhe resurset e saj natyrore, mbetet një nga pikat me potencial për rritje të turizmit vendor dhe të jashtëm.

