Prizren, gjendet pa shenja jete një turiste gjermane 82 vjeçare në dhomën e hotelit
Një ngjarje e rëndë është raportuar sot në orët e mëngjesit në një nga hotelet e qytetit të Prizrenit.
Rreth orës 08:05, policia është njoftuar nga shërbimi emergjent i qytetit se në një dhomë hoteli është gjetur pa shenja jete një femër rreth 82-vjeçare, shtetase gjermane, e cila ishte mysafire në Kosovë.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Sipas njoftimit zyrtar, janë intervistuar dëshmitarët, ndërsa është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes për të siguruar provat e nevojshme.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim, me qëllim të përcaktimit të shkakut të vdekjes.
Policia ka iniciuar rastin si “Hetim i vdekjes” dhe hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar. Autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje shtesë rreth rrethanave të ngjarjes, ndërsa pritet që rezultatet e ekzaminimit mjeko-ligjor të japin më shumë qartësi.
Deri më tani, nuk raportohet për ndonjë dyshim për vepër penale, por hetimet mbeten të hapura.