Prizren, bllokuan rrugën për shkak të gazmendit familjar – Policia shqipton gjobë prej 300 euro

07.08.2025

Policia e Kosovës ka ndërhyrë të mërkurën pasdite në një rast të bllokimit të rrugës në qytetin e Prizrenit, pas ankesave të pranuara nga qytetarët.

Sipas njoftimit zyrtar, më 6 gusht 2025 rreth orës 16:40, është raportuar për bllokim të rrugës “Alush Kryeziu” në të dy shiritat e qarkullimit, për shkak të një gazmendi familjar të organizuar në këtë zonë.

Njësiti patrullues i Stacionit Policor të Prizrenit ka intervenuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka identifikuar personin përgjegjës për organizimin. Sipas policisë, ai kishte paraqitur një leje të lëshuar nga komuna për përdorim të njërës korsi të rrugës, por vetëm për një periudhë të kufizuar – nga ora 09:30 deri në 10:30 të mëngjesit.

Megjithatë, në kohën e intervenimit, rruga ishte bllokuar në tërësi dhe jashtë orarit të lejuar me leje. Për këtë shkelje, Policia e Kosovës ka shqiptuar një gjobë në vlerë prej 300 euro, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Pas veprimeve policore, rruga është liruar dhe është rikthyer qarkullimi normal i automjeteve.