Padi penale për dëmtimin e shtatores së Skënderbeut në Prizren

31.07.2025

Shoqata “Lekë Dukagjini” – Shpenadi ka paraqitur një padi penale në Prokurorinë Themelore të Prizrenit ndaj personave të panjohur, lidhur me dëmtimin dhe përdhosjen e shtatores së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, e vendosur në një nga hapësirat publike të qytetit.

Sipas padisë, akti dyshohet të ketë ndodhur gjatë natës mes 26 dhe 27 korrikut, kur persona të paidentifikuar kanë spërkatur me ngjyrë përkrenaren dhe shpatën e monumentit. Shoqata e ka cilësuar ngjarjen si akt vandalizmi dhe si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj ndjenjave kombëtare dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

Vitor Spaqi, sekretar dhe përfaqësues i autorizuar i shoqatës, ka theksuar në padi se ky veprim bie ndesh me nenin 333 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që ndalon dëmtimin ose shkatërrimin e pronës, dhe se mund të konsiderohet edhe në kuadër të ligjeve për mbrojtjen e trashëgimisë historike dhe kulturore.

Shoqata ka kërkuar nga Prokuroria që të nisë urgjentisht hetimet për zbardhjen e rastit, të identifikojë dhe ndjekë penalisht autorët, si dhe të veprojë me ndjeshmëri dhe seriozitet përballë një rasti që, sipas saj, prek në mënyrë të thellë simbolikën kombëtare të qytetarëve shqiptarë.