Nga tregtia te ndërtimtaria – Regjioni i Prizrenit i treti në Kosovë për regjistrimin e bizneseve të reja

01.12.2025

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për numrin e ndërmarrjeve të regjistruara gjatë muajit Tetor 2025.

Sipas raportit zyrtar, gjatë këtij muaji janë regjistruar gjithsej 1,125 ndërmarrje, duke shënuar një rritje prej 6.7% krahasuar me muajin paraprak dhe një rritje të lehtë prej 0.2% krahasuar me Tetorin e vitit 2024, kur ishin regjistruar 1,123 ndërmarrje.

Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë tetorit ishin tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave me 286 ndërmarrje të regjistruara (25.4%), ndërtimtaria me 133 ndërmarrje (11.8%), akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 110 ndërmarrje (9.8%) dhe aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 104 ndërmarrje (9.2%).

Në bazë të madhësisë, shumica e ndërmarrjeve janë mikro-ndërmarrje (0-9 të punësuar) me gjithsej 1,116 regjistrime. Ndërmarrjet e vogla (10-49 të punësuar) përbëjnë 9 regjistrime, ndërsa për kategoritë e ndërmarrjeve të mesme (50-249 të punësuar) dhe të mëdha (250+) nuk ka pasur regjistrime këtë muaj.

Sa i përket shpërndarjes gjeografike, Regjioni i Prishtinës prinë me 567 ndërmarrje të regjistruara (50.4%), i ndjekur nga regjionet e Ferizajt dhe Prizrenit me nga 112 ndërmarrje secili (10%), Mitrovicës me 108 (9.6%), Pejës me 83 (7.4%), Gjilanit me 80 (7.1%) dhe Gjakovës me 63 (5.6%).

Interesante është se numri i ndërmarrjeve të regjistruara në Tetor 2025 është thuajse i njëjtë me Tetorin e vitit të kaluar, duke shënuar vetëm dy regjistrime më shumë. Ndërkaq, muaji me numrin më të madh të ndërmarrjeve të regjistruara këtë vit ka qenë korriku, me gjithsej 1,315 biznese.

Këto statistika tregojnë një trend të qëndrueshëm të regjistrimit të bizneseve, me një koncentrim të lartë në aktivitetet tregtare dhe në mikro-ndërmarrjet e reja.