“Mos e harro Srebrenicën” – Prizreni përkujton 30-vjetorin e gjenocidit me marsh për paqe

11.07.2025

Me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, në qytetin e Prizrenit u mbajt një aktivitet përkujtimor nën moton “Mos e harro Srebrenicën”, për të nderuar kujtimin e 8,372 viktimave boshnjake të vrarë në korrikun e vitit 1995.

Qytetarë nga komunitete të ndryshme etnike u bashkuan në një marshim paqësor, duke dërguar një mesazh të fuqishëm paqjeje, kujtese dhe solidariteti përballë një prej tragjedive më të rënda në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Në marsh morën pjesë edhe figura të larta publike dhe politike si:

  • Shaqir Totaj, kryetar i Komunës së Prizrenit
  • Rasim Demiri, kryetar i koalicionit Vakat
  • Albert Kinolli, kryetar i PREBK
  • Duda Balje, deputete
  • Fikrim Damka, ministër i Zhvillimit Rajonal
  • Fidan Brina Jılta, deputete e KDTP-së

Përmes këtij aktiviteti, Prizreni i bashkohet qyteteve të shumta në rajon dhe botë që përkujtojnë këtë krim të rëndë, të cilësuar si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Tribunalet Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Aktiviteti ishte një thirrje për kujtesë historike dhe drejtësi, por edhe një angazhim i vazhdueshëm për të ndërtuar paqe të qëndrueshme dhe bashkëjetesë mes popujve.