Gjermania kontribuon në Zhvillimin e Qëndrueshëm Urban të Prizrenit
Komuna e Prizrenit ka mirëpritur sot përfaqësues të programit “Circular Urban Development – Kosovo4Green”, një iniciativë e përbashkët e Qeverisë Federale Gjermane dhe Swiss SECO, që synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm urban në Kosovë.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, zhvilloi një takim me menaxheren e programit, Marianne Alker, si dhe me përfaqësues të tjerë të GIZ Kosova dhe SECO, për të diskutuar mbi ecurinë dhe rëndësinë e këtij projekti për qytetin.
Programi “Circular Urban Development – Kosovo4Green”, i financuar nga dy qeveritë, fokusohet në përmirësimin e planifikimit hapësinor dhe zhvillimin e planeve për reziliencë urbane, duke adresuar sfidat e ndryshimeve klimatike. Gjatë takimit, u theksua rëndësia e fuqizimit të sistemeve nacionale dhe lokale të planifikimit urban, duke përfshirë Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe komunat e Prizrenit, Gjakovës dhe Gjilanit.
Kryetari Totaj shprehu mbështetjen e plotë për këtë program, duke theksuar se zhvillimi i qëndrueshëm urban është prioritet për komunën e Prizrenit. Ai vlerësoi angazhimin e Qeverisë Federale Gjermane dhe Swiss SECO për mbështetjen e Kosovës në këtë fushë.
“Ky projekt është një mundësi e shkëlqyer për të përmirësuar infrastrukturën urbane dhe për t’u përgatitur për sfidat e ndryshimeve klimatike,” tha Kryetari Totaj. “Ne jemi të angazhuar të punojmë ngushtë me partnerët tanë për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm për të ardhmen e Prizrenit.”
Menaxherja e programit, Marianne Alker, shprehu kënaqësinë e saj për bashkëpunimin me Komunën e Prizrenit dhe theksoi se programi “Circular Urban Development – Kosovo4Green” do të vazhdojë të mbështesë komunat në përpjekjet e tyre për të arritur zhvillim të qëndrueshëm urban.