Dyshimet për degradim të mjedisit në Prizren -Arrestohen tre persona
Prokuroria Themelore e Prizrenit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar një aksion të suksesshëm kundër aktiviteteve të paligjshme që dëmtojnë mjedisin.
Aksioni fillestar, i zhvilluar më 4 qershor, pati rezultuar me arrestimin e 19 personave dhe sekuestrimin e 40 mjeteve përfshirë dhjetë kamionë, 15 eskavatorë dhe 15 makineri separimi, me një vlerë totale prej rreth 2 milionë euro.

Megjithatë, policia njofton se një tentativë e re për dëmtimin e mjedisit ka ndodhur së fundmi. Tre persona janë arrestuar në flagrancë gjatë orëve të vona të natës, pasi tentuan të eksploatonin zhavorr pranë lumit Drini i Bardhë. Nga kjo tentativë janë sekuestruar një kamion dhe një eskavator.

Personat e arrestuar gjenden në ndalim 48-orësh, pasi dyshohen për kryerjen e veprave penale: “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”.
Prokuroria Themelore e Prizrenit ka bërë me dije se do të vazhdojë të jetë vigjilente dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar aktivitete të paligjshme që mund të shkaktojnë dëm për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.
Në një deklaratë për media, prokuroria apelon tek të gjithë qytetarët për angazhimin në mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e resurseve natyrore, duke respektuar ligjin për një të ardhme më të qëndrueshme.