Arrestohen dy persona në Randobravë të Prizrenit nën dyshimin për fajde dhe detyrim
Policia e Kosovës ka realizuar një operacion në fshatin Randobravë të Prizrenit, ku janë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale, përfshirë fajdenë dhe detyrimin.
Foto: Ilustrim
Operacioni është zhvilluar më 29 shtator nga Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Prokurorinë Themelore në Prizren.
Sipas Policisë, është arrestuar V.H., 49 vjeç, nga Randobrava, i dyshuar për veprat penale “fajdeja”, “detyrimi” dhe “mbajtja e paautorizuar e armëve”.
Po ashtu, është arrestuar D.E., 37 vjeç, nga i njëjti fshat, i dyshuar për veprën penale “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”.
Policia dyshon se të arrestuarit kanë ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj një viktime, duke e detyruar atë të veprojë në dëm të pasurisë së tij dhe duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Gjatë operacionit janë kontrolluar dy lokacione në Randobravë, ndërsa janë sekuestruar dëshmi materiale që dyshohet se lidhen me rastin.
Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh dhe janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Prizren.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me organet e rendit dhe drejtësisë, duke raportuar rastet e fajdesë, detyrimit dhe veprimtarive të tjera kriminale.
