Dy gra lëndohen në një vetaksident në dalje të Vërmicës

26.10.2025

Dy gra kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një vetaksidenti trafiku që ka ndodhur të dielën paradite në dalje të Vërmicës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka bërë të ditur se aksidenti është raportuar rreth orës 11:45 në autostradë dhe në të është përfshirë një veturë e tipit BMW.

“Rreth orës 11:45 është raportuar nga njësiti i policisë për kontroll në autostradë se në dalje të Vërmicës është shkaktuar një vetaksident trafiku, ku është përfshirë një veturë e tipit BMW. Si pasojë e këtij aksidenti, dy persona – femra kanë pësuar lëndime trupore”, ka deklaruar Hoxha.

Policia ka bërë të ditur gjithashtu se vetëm gjatë periudhës janar–shtator të këtij viti, në Kosovë 86 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku, prej të cilëve 47 kanë qenë shoferë.

Hetimet për shkaqet e aksidentit janë duke vazhduar.