Aksident me fatalitet në Prizren, goditet për vdekje një këmbësor
Një aksident tragjik ka ndodhur pasditen e sotme në Prizren, ku një veturë ka goditur për vdekje një këmbësor.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se ngasësi i automjetit është një zyrtar policor.
Sipas Bytyqit, polici në fjalë ka qenë jashtë detyrës zyrtare dhe po lëvizte me automjetin e tij privat në momentin kur ndodhi aksidenti fatal.
“I dyshuari aktualisht ndodhet në Stacionin Policor të Prizrenit. Për veprimet e mëtejshme administrative dhe penale do të koordinohemi me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe me prokurorin kujdestar”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai shtoi se viktima është një burrë i moshuar, ndërsa mosha dhe identiteti i tij i saktë janë ende në proces verifikimi nga autoritetet.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të këtij rasti tragjik.