Apple Pay zyrtarisht në Kosovë – një hap i ri drejt pagesave digjitale moderne

29.07.2025

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se nga sot, shërbimi ndërkombëtar i pagesave Apple Pay është zyrtarisht i disponueshëm edhe në Kosovë.

Foto: Ilustrim

Ky zhvillim i rëndësishëm vjen si pjesë e përpjekjeve për modernizimin dhe digjitalizimin e sistemit të pagesave në vend.

Falë kësaj risie, qytetarët dhe bizneset në Kosovë do të kenë mundësi të kryejnë pagesa të shpejta, të sigurta dhe pa kontakt, përmes pajisjeve Apple si iPhone, Apple Watch apo të tjera. Bankat dhe institucionet financiare do të mund të lidhin kartelat e tyre me platformën Apple Pay, sipas marrëveshjeve dhe integrimeve teknike që do të zhvillohen individualisht.

BQK thekson se ky është një hap tjetër i rëndësishëm drejt rritjes së përfshirjes financiare, përshpejtimit të digjitalizimit dhe përmbushjes së standardeve evropiane për pagesa moderne. Pas funksionalizimit të Google Pay, tash edhe Apple Pay vjen si plotësim i qasjes së Kosovës drejt ndërkombëtarizimit të shërbimeve financiare.

Ky avancim vjen pas një sërë angazhimesh dhe bashkëpunimesh, përfshirë edhe takimin e muajit maj 2025 mes përfaqësuesve të BQK-së dhe përfaqësuesve të kompanisë Apple. Gjithashtu, BQK shpreh mirënjohje për bashkëpunimin me sektorin bankar dhe mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces.

Në kuadër të Planit Strategjik 2024–2028, BQK mbetet e përkushtuar për të ofruar kushte të favorshme për adoptimin e shërbimeve më moderne financiare dhe për të avancuar më tej infrastrukturën digjitale të Kosovës, në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe synimet për integrim evropian.