Suspendime në Policinë e Suharekës: Zyrtari dyshohet se 6 vite ka përdorur veturë të paregjistruar, abuzoi me pozitën

para 16 dite

Një zyrtar policor në Stacionin Policor të Suharekës është suspenduar përkohësisht, pasi dyshohet se për një periudhë të gjatë prej gjashtë vitesh ka përdorur një automjet të paregjistruar, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare për t’iu shmangur pasojave ligjore.

Suspendime në Policinë e Suharekës: Zyrtari dyshohet se 6 vite ka përdorur veturë të paregjistruar, abuzoi me pozitën

Lajmin e bën të ditur Gazeta Sinjali, duke u bazuar në burime brenda stacionit policor.

Sipas burimeve të Sinjalit, zyrtari në fjalë ka drejtuar një automjet privat pa regjistrim të vlefshëm që nga qershori i vitit 2019. Kjo veturë thuhet se parkohej rregullisht përballë Stacionit Policor në Suharekë, nën hundën e kolegëve të tij.

Më tej, burimet theksojnë se në rastet kur zyrtari është ndaluar nga patrullat policore gjatë këtyre viteve, ai dyshohet se ka përdorur autoritetin e tij zyrtar për të shmangur kontrollet e zakonshme apo ndonjë masë ndëshkuese për mungesën e regjistrimit të automjetit.

Pas një informate të pranuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe pas konsultimeve me Prokurorinë kompetente, IPK ka ndërmarrë veprime preliminare hetimore. Gjatë këtyre veprimeve, është konstatuar se pretendimet ishin të sakta dhe zyrtari është ndaluar në rrugë duke drejtuar veturën e paregjistruar.

Ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi integritetin dhe zbatimin e ligjit brenda radhëve të Policisë së Kosovës dhe pritet të hetohet më tej nga organet kompetente. Suspendimi i zyrtarit është masa e parë ndërmarrë ndaj tij, ndërkohë që pritet të shihet nëse do të ketë veprime të tjera ligjore në vazhdim.

Etiketat

Ofertat e fundit