Suharekë, precizohet kërkesëpadia ku mësimdhënësja kërkon kompensimin prej 20% mbi pagën e rregullt

10.12.2021

Paditësja S.T ka punuar me klasë të kombinuar dhe në bazë të Kontratës Kolegtive të Arsimit në Kosovë, i takon një kompensim i tillë. Sipas tij, objekt i kërkesëpadisë do të jetë kompensimi prej 20% mbi pagën e rregullt si mësimdhënëse me klasë të kombinuar nga data 18 prill 2017, e deri më 22 janar […]

Suharekë, precizohet kërkesëpadia ku mësimdhënësja kërkon kompensimin prej 20% mbi pagën e rregullt Foto: Ilustrim

Paditësja S.T ka punuar me klasë të kombinuar dhe në bazë të Kontratës Kolegtive të Arsimit në Kosovë, i takon një kompensim i tillë.

Sipas tij, objekt i kërkesëpadisë do të jetë kompensimi prej 20% mbi pagën e rregullt si mësimdhënëse me klasë të kombinuar nga data 18 prill 2017, e deri më 22 janar 2021, në shumën prej 3 mijë e 881 euro.

Këtë precizim avokati Kolgeci e ka bërë pas pranimit të ekspertizës nga ana e ekspertit aktuar Aziz Berisha, i cili ka qenë i pranishëm në seancë dhe ka qartësuar ekspertizën.

I autorizuari i të paditurës, Komunës së Suharekës, avokati Qazim Hasanaj, i ka parashtruar pyetje ekspertit se “në llogaritjen e shtesës prej 20% të pagës, a e keni bërë duke e llogaritur në pagën bazë neto apo bruto?”, ku eksperti Berisha është përgjigjur se “llogaritjen e shtesës 20% e kam bërë nga paga bruto, siç parashihet me kontratën e paditëses të lidhur me të paditurën”.

I njëjti ka vazhduar edhe me pyetjen se “pagën prej 502,74 euro në të cilën e keni llogaritur 20%, a e keni marrë nga kontrata apo nga lista e bankës”, ku eksperti është përgjigjur se “e kam marr nga kontrata e punës pasi që në raportet bankare paga paraqitet neto”.

I autorizuari i paditëses avokati Arbër Kolgeci në fjalën e tij përfundimtare ka kërkuar pagimin e shpenzimeve gjyqësore në shumën prej 783,60 euro.

Ndërsa i autorizuari i të paditurës, avokati Qazim Hasanaj në fjalën përfundimtare ka theksuar se të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës për të paditurën janë përmbushur në përpikëri dhe se e paditura nga koha e themelimit të marrëdhënies së punës e ka ditur se do të punojë me klasë të kombinuara, kontratën e ka nënshkruar me vullnet dhe nuk e ka kundërshtuar atë, deri në paraqitjen e padisë.

Sipas padisë, paditësja si mësimdhënëse në Shkollën Fillore “Sadri Duhla”, në Dragaqinë, po kërkon kompensimin e pagës me 20%, gjegjësisht shumën 3 mijë e 881 euro. pasi që e njëjta ka punuar me klasë të kombinuara nga data 18 prill 2017, e deri më 22 janar 2021.

Këtë të drejtë ia njeh Kontrata Kolektive e Arsimit në Kosovë, gjegjësisht neni 11 paragrafi 3 i saj.

E njëjta me padi ka kërkuar edhe pagimin e shpenzimet gjyqësore. /BetimipërDrejtësi