Suharekë, kapet në flagrancë me 5 mijë euro, ngrihet aktakuzë për fajde dhe bixhoz të paligjshëm
Prokuroria Themelore në Prizren, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër një banori të Suharekës me inicialet F.Sh., i cili ndodhet në paraburgim që nga data 9 dhjetor 2024.
I pandehuri, sipas Prokurorisë, dyshohet se ka ushtruar aktivitet të paligjshëm të fajdes dhe organizimit të bixhozit pa leje, me ç’rast ka përfituar dobi pasurore të ndaluar me ligj.
Sipas aktakuzës, që nga shtatori i vitit 2023 e deri në dhjetor 2024, F.Sh. ka dhënë hua me kamata të larta një qytetari me inicialet A.Z., duke shfrytëzuar gjendjen e tij të rëndë financiare. Viktima ka përfituar disa herë shuma të ndryshme të hollash, të cilat janë shoqëruar me interesa deri në 20%. Vetëm për periudhën prill–gusht 2024, viktima ka marrë nga i dyshuari disa hua në vlerë prej dhjetëra mijëra eurosh, ndërsa ka paguar mbi 14,600 euro vetëm në emër të kamatave.
Më 9 dhjetor 2024, në fshatin Shirokë të Suharekës, F.Sh. është kapur në flagrancë nga Policia e Kosovës duke marrë një shumë prej 5,000 euro nga viktima – gjithnjë në emër të kamatave për huadhëniet e mëhershme. Gjatë gjithë kësaj periudhe, sipas hetimeve, viktima ishte ngarkuar me një shumë totale kamatash prej 81,400 eurosh, nga të cilat ende nuk kishte arritur t’i kthente 21,400 euro.
Përveç aktivitetit të fajdes, i dyshuari nga Suhareka dyshohet se ka organizuar edhe bixhoz të paligjshëm përmes një platforme elektronike të lojërave të fatit. Nga janari deri në prill të vitit 2024, ai i kishte mundësuar të njëjtës viktimë qasje në lojëra të ndaluara, duke i shkaktuar atij humbje financiare në vlerë prej 90,000 euro, përfshirë edhe një shumë paraprake prej 20,000 euro të paguar për qasjen në platformë.
Prokuroria ka kërkuar që pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet në përputhje me ligjin për veprat penale të “Fajdes” dhe “Organizimit të bixhozit të paligjshëm”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.