Suhareka ndër komunat më të prekur nga migrimi i qytetarëve

29.06.2022

Gjatë vitit 2021 janë larguar nga Kosova 42 mijë e 728 qytetarë, ndërsa numri mund të jetë më i lartë duke pasur parasysh emigrimet ilegale. Derisa rritje të madhe të migrimit ka shënuar komuna e Gjilanit me 4 mijë e 320 qytetarë, të cilët kanë ‘braktisur’ vendin. Tetë komunat më të prekura nga migrimi janë: […]

Suhareka ndër komunat më të prekur nga migrimi i qytetarëve Foto: Ilustrim

Gjatë vitit 2021 janë larguar nga Kosova 42 mijë e 728 qytetarë, ndërsa numri mund të jetë më i lartë duke pasur parasysh emigrimet ilegale.

Derisa rritje të madhe të migrimit ka shënuar komuna e Gjilanit me 4 mijë e 320 qytetarë, të cilët kanë ‘braktisur’ vendin. Tetë komunat më të prekura nga migrimi janë: Gjilani, Suhareka, Prizreni, Prishtina, Vushtrria, Malisheva, Gjakova dhe Podujeva.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për vlerësimin e popullsisë për vitin 2021, thuhet se pjesa dërmuese e emigrantëve për vitin 2021 ishin emigrantët legal.

Gjatë vitit 2021, popullsia e Kosovës pati një rritje natyrore për 14 391 persona. Është vlerësuar se gjatë këtij viti kanë: ndërruar vendbanimin (komunën) e tyre, 7 353 persona; imigruar (përfshi të kthyerit) në Kosovë, 4 122 persona dhe kanë emigruar 42 mijë e 728 persona”, thuhet në raportin e fundit të ASK-së.

Kurse, bilanci i migrimit ndërkombëtar (migrimi neto) për vitin 2021 ishte (-38 606 banorë). Ndërkaq, popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar – 31 dhjetor 2021, u zvogëlua për (-24 215 banorë).

Popullsia në Kosovë për vitin 2021 vlerësohet të jetë 1 milion e 773 mijë e 971 banorë rezidentë.

Ndryshe, dje SuharekaOnline ka raportuar për emigrimin e qytetarëve të Komunës së Suharekës, ku për sa i përket migrimit ndërkombëtar, në komunën tonë gjatë vitit të kaluar kanë emigruar 2 mijë e 542 persona, kurse janë imigruar 85 persona, ndryshe bilanci i migrimit ndërkombëtar në komunën tonë është -2,457.

Gjithashtu, qytetarët e Suharekës kanë bërë edhe emigrime e imigrime kombëtar, ku brenda kësaj periudhe një vjeçare kanë emigruar 212 persona (ndërruan vendbanimin (komunën) e tyre), kurse imigruan 157 persona (të kthyerit në komunë).