Skandal në Peqan, fshati afër 24 orë pa energji elektrike, banorët të revoltuar

22.12.2025

Një situatë e rëndë dhe e papranueshme po vazhdon prej gati 24 orësh në fshatin Peqan, ku banorët kanë mbetur pa energji elektrike, duke u zhytur në errësirë të plotë.

Skandal në Peqan, fshati afër 24 orë pa energji elektrike, banorët të revoltuar Foto: Ilustrim

Sipas reagimit të banorëve, ndërprerja e rrymës ka ndodhur mbrëmë në orën 19:56, kur zyrtarisht është njoftuar problemi në daljen “J25 Peqani”.

Që nga ajo kohë, fshati vazhdon të jetë pa furnizim me energji, ndërsa zgjidhja konkrete mungon. Banorët shprehen të revoltuar, duke thënë se ajo që po ndodh nuk është më thjesht një defekt teknik, por një tallje e hapur me dinjitetin e tyre.

Sipas tyre, ekipet e KEDS janë parë duke lëvizur me automjete nëpër fshat, por pa asnjë rezultat konkret në rikthimin e energjisë elektrike. Ndërkohë, pasojat për qytetarët po bëhen gjithnjë e më të rënda: shtëpitë po ftohen, ushqimet në frigoriferë po dëmtohen, ndërsa jeta e përditshme është paralizuar.

“Pse duhet ta vuajë Peqani gjithmonë këtë neglizhencë? A jemi qytetarë të dorës së dytë që paguajmë rregullisht faturat, vetëm për t’u lënë në errësirë dhe kushte mesjetare?”, thuhet në reagimin e banorëve të fshatit Peqan.

Banorët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe përgjegjësi nga institucionet përkatëse, duke theksuar se raste të tilla po përsëriten shpesh dhe se durimi i tyre ka arritur në kufijtë maksimalë. Ata paralajmërojnë se, nëse situata vazhdon, do të ndërmarrin edhe hapa të tjerë për ta bërë zërin e tyre të dëgjuar.