Sa janë të interesuar qytetarët e Suharekës në testin për COVID-19?!

Që nga muaii gusht nga Ministria e Shëndetësisë janë licencuar mbi 100 institucione shëndetësore private, për teste serologjike dhe teste me metodën PCR për COVID-19.

Në Komunën e Suharekës janë licencuar tre laboratorë privat vetëm për teste serologjike.

Në mesin e laboratorëve që tashmë po kryejnë testime për COVID-19 është edhe Laboratori “RIOLAB”.

I kontaktuar nga SuharekaOnline pronari i këtij laboratori, Azem Obrazhda, tregon se sa janë të interesuar qytetarët për teste dhe me çfarë çmimi po kryhen ato.

“Në laboratorin tonë të licencuar para dhjetë ditësh kryhen testet serologjike dhe atë të dy lloj antitrupave, të klasit M, të cilët tregojnë prezencën momentale të covidit që shfaqet në ditën e shtatë, dhe antitrupat e klasit G të cilat shfaqen pas dy javës” ka shtuar Obrazhda.

Tutje ai tregon se interesimi i popullatës është i madh dhe është për llojin e analizave nëse e kanë prezent virusin, ku testi kushton 25 euro.

Duke folur për procesin e testimit pronari i Laboratorit “RIOLAB”, Azem Obrazhda, tregon se fillimisht merret mostra e gjakut dhe brenda 60 minutave detektohen antitrupat ose imunoglobulinat IgM dhe IgG.

“Nëse në serum janë dy llojet e antitrupave IgM dhe IgG kjo tregon qe pacienti është në fazën e shërimit.Testimi i saktë lejon identifikimin e personave që mund të kenë nevojë për trajtim ose që kanë nevojë të vetizolohen për të parandaluar përhapjen e infeksionit” ka treguar ai.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.