Restaurimi i kullës së Ramë Bllacës dhe shtëpisë-muze të Fadil Vatës, mbeten projekt në letër

21.07.2020

Më 5 shkurt 2019 Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj përmes një njoftimi në Facebook kishte njoftuar se shtëpia kullë e veprimtarit Ramë Bllaca do të restaurohet. “Angazhimi ynë është serioz dhe jemi të interesuar që ai projekt të përfundoj dhe të ketë respektin e merituar, duke qenë i vizituar në të ardhmen nga […]

Restaurimi i kullës së Ramë Bllacës dhe shtëpisë-muze të Fadil Vatës, mbeten projekt në letër Foto: Ilustrim

Më 5 shkurt 2019 Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj përmes një njoftimi në Facebook kishte njoftuar se shtëpia kullë e veprimtarit Ramë Bllaca do të restaurohet.

“Angazhimi ynë është serioz dhe jemi të interesuar që ai projekt të përfundoj dhe të ketë respektin e merituar, duke qenë i vizituar në të ardhmen nga gjeneratat e ardhshme dhe turistët, për tu njohur me historinë tonë”, kishte shkruar asokohe Muharemaj.

Dhe jo vetëm kaq, në kuadër të Drejtorisë për Kulturë, Rini, Sport dhe Mërgatë, restaurimi i kullës “Ramë Bllaca” ishte edhe në planin e punës së kryetarit Muharremaj për vitin 2019.

Jo vetëm Muharremaj por edhe ministri i Kulturës, Rinisë  dhe Sportit në  Qeverinë  Haradinaj, Kujtim Gashi, në  qershor të  vitit të  kaluar kishte thënë se “Së shpejti do të fillojë restaurimi i kullës së patriotit, atdhetarit dhe personalitetit të shquar Ramë Bllaca.

Ai kishte thënë se se në fshatin Bllacë të komunës të Suharekës ende është në këmbë shtëpia e personalitetit të njohur shqiptar, Ramë Ballaca.“Rama Bllaca ishte patriot, intelektual i mirëfilltë, politikan i spikatur si dhe trim i vërtetë i kohës, në kuadër të rrethanave politiko-shoqërore, ekonomike e sociale në të cilën ai jetoi.

Ashtu edhe si shtëpia kullë e veprimtarit Ramë Bllaca, edhe shtëpia-muze e Fadil Vatës ishte në planin e punës për vitin 2019 të kryetarit Muharremaj, por deri më sot as njëra e as tjetra nuk janë ndërtuar.

Të dyja këto prapë gjenden në planin e punës për vitin 2020 të kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.

E siç duket realizimi i këtyre dy projekteve ka mbetur peng nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Të paktën kështu bënë të ditur i pari i Suharekës, Bali Muharremaj.

Në një përgjigje me shkrim të kryetarit Muharremaj thuhet se Komuna e Suharekës ka nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për hartimin dhe zbatimin e Projektit “Kulla e Ramë Bllacës”, ku mes tjerash parashihej që Komuna e Suharekës të bashkëfinancoj me 15,000.00 euro ndërsa Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me 20,000.00 euro. 

Ndërsa për shtëpinë-muze të Fadil Vatës, Muharremaj thotë se Komuna e Suharekës ka nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për hartimin dhe zbatimin e Projektit ” Shtëpi Muze Fadil Vata”, ku mes tjerash parashihej që Komuna e Suharekës të bashkëfinancoj me 29,000.00 euro ndërsa Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me 20,000.00 euro. 

Memorandumet janë nënshkruar në vitin 2019.

Përgjegjësinë për zbatimin e këtyre dy projekteve e ka marrë përsipër Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sepse konsiderohen si objekte të rëndësisë së veçantë. 

Edhe më tutje rreth kësaj, përgjegjësi rreth këtyre dy projekteve Ministria e ka obligimin e zbatimit, ndërkohë ne si institucione komunale e kemi pasur buxhetin e planifikuar, ka thënë Muharremaj.  

Edhe pse kryetari Muharremaj i ka në plan të punës për vitin 2020, në projektbuxhetin që pritet të votohet për vitin 2020, Qeveria Hoti nuk ka ndarë asnjë mjet për realizimin e këtyre projekteve. Në bazë të projekt-buxhetit qeveria ka planifikuar që për kullën e Ramë Bllacës në vitin 2021 të ndajë 20,000 euro dhe për vitin 2022 -15,000 euro.

Gjithashtu edhe për shtëpinë-muze të heroit Fadil Vata, qeveria ka planifikuar që në vitin 2021 të ndajë 30,000 euro dhe në vitin 2022 – 20,000 euro.