QKMF-Suharekë organizon ligjëratë për “Kujdesin Paliativ”, fton personelin shëndetësor të marrë pjesë
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Rexhep Kuçi” në Suharekë ka njoftuar se do të organizojë një ligjëratë profesionale në kuadër të edukimit të vazhdueshëm për stafin shëndetësor.
Të gjithë infermierët, mamitë dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë janë ftuar të marrin pjesë në ligjëratën me temën “Kujdesi Paliativ”, që do të zhvillohet nga data 14 deri më 16 tetor 2025, duke filluar nga ora 15:00, në sallën e ligjëratave të QKMF-së në Suharekë.

Ligjërata do të mbahet nga Adelina Elshani, Bsc. e Infermierisë, dhe është pjesë e një programi të akredituar nga Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK), nën drejtimin e trajnerëve Nazmije Gashi dhe Arberije Kolgeci.
Ky aktivitet synon të rrisë njohuritë dhe përgatitjen profesionale të stafit shëndetësor në ofrimin e kujdesit paliativ, duke theksuar rëndësinë e trajtimit dhe përkujdesjes për pacientët me sëmundje të avancuara dhe kronike.
QKMF “Rexhep Kuçi” fton të gjithë profesionistët e fushës që të marrin pjesë në këtë ligjëratë të rëndësishme, e cila kontribuon në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në komunën e Suharekës.