Programi dhe lista e kandidatëve për Asamble, Selman Kolgeci: Kontribut me krenari
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dega në Suharekë, ka prezantuar sot programin politik dhe ekipën e kandidatëve për Asamblenë Komunale, në kuadër të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe asamblisti aktual dhe kandidati i mëparshëm për deputet në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Selman Kolgeci. Ai ka bërë të ditur se ka qenë pjesë e ekipit që ka hartuar programin e LDK-së për nivelin lokal, duke theksuar se ky program është rezultat i një pune të zhvilluar nga një grup ekspertësh dhe synon të adresojë çështje të rëndësishme për komunën.
Gjatë prezantimit, u paraqit edhe kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Suharekës, Ardian Shala, i cili do të udhëheqë garën për kryesimin e komunës në këtë cikël zgjedhor.
Kolgeci ka njoftuar se programi përfshin ide dhe objektiva për zhvillim në fusha të ndryshme dhe do të prezantohet në mënyrë më të detajuar gjatë fushatës zgjedhore. Po ashtu, është bërë e ditur se takimet me qytetarët dhe aktivitetet në terren do të vijojnë në ditët në vijim.
Zgjedhjet lokale në Kosovë janë paraparë të mbahen më 12 tetor 2025.