Premtimet 2019: Fabrika e Riciklimit, objekti i ri i Komunës, rruga Mushtisht-Shtërpcë…

13.02.2020

Plani vjetor për vitin 2019 i kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ishte hartuar në koordinim me drejtorët e drejtorive, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të biznesit dhe shumë qytetarë dhe ekspertë të pavarur. Të paktën kështu shkruhej në hyrje të planit të prezentuar në pika të shkurta nga kryetari Muharremaj, të cilin mund […]

Premtimet 2019: Fabrika e Riciklimit, objekti i ri i Komunës, rruga Mushtisht-Shtërpcë… Foto: Objekti i i ri i Komunës së Suharekës

Plani vjetor për vitin 2019 i kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ishte hartuar në koordinim me drejtorët e drejtorive, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të biznesit dhe shumë qytetarë dhe ekspertë të pavarur.

Të paktën kështu shkruhej në hyrje të planit të prezentuar në pika të shkurta nga kryetari Muharremaj, të cilin mund ta shkarkoni në uebfaqen e komunës.

Sipas po të njëjtit plan programi është i bazuar në nevojat e familjeve tuaja duke pasur për bazë mirëqenien sociale dhe ekonomike si dhe njëkohësisht i bazuar në mundësitë reale të realizimit.

Gjithashtu ky program synon transformimin e komunës në një instucion relevant me një administratë moderne, arsim cilësor, program shëndetësor, zhvillim ekonomik, shërbime publike cilësore, ambient të pastër, aktivitete për kulturë, rininë, sport, diasporën etj.

Sipas planit të kryetarit Muharremaj për vitin 2019 të hartuar nga “ekspertët” e fushave të ndryshme, renditja e prioriteteve dhe premtimeve që në fakt nuk kanë gjetur realizim gjatë vitit 2019 e që ishte i bazuar në mundësitë reale të realizimit:

Plani Vjetor i Kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj për Vitin 2019

SuharekaOnline gjatë javës ka pyetur Komunën e Suharekës se pse pothuajse pjesa dërmuese e projekteve ka ngecur qysh në fazën fillestare të realizimit.

Donacione nga jashtë dhe brenda vendit mbi 4 milion euro

Në përgjigjen për SuharekaOnline Zyra e Informimit në Komunën e Suharekës numëron donacionet si vijon:
– 147.729.00 donacion nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor, për indikiatorët e përformancës dhe mirëmbatjen e ambientit.
– Mbi 3 milion euro donacion ku po realizohet ndërtimi dhe funksioni i Shtëpisë së të Moshuarve në Gjinoc nga Shoqata “Jetimat e Ballkanit”.
– GIZ- 3000 euro donacion në Shkollën Fillore ‘’Kongresi I Manastirit”- Studençan
-LMT 1.500 euro donacion në Shkollën Fillore “ Vëllezrit Frashëri” – Bukosh
-Mufail Gashi donacion 2800 euro – Kontejner te porta në Gjimnazin “Jeta e Re” dhe Shkollën e Mesme Teknike “Skënder Luarasi”.
-Motra Johana 25.000 euro – donacion panele solare për kulm në Shkollën e Mesme Teknike “Skënder Luarasi”.
-Motra Johana 30.000 euro – donacion kulmi dhe gjysëm kati në Shkollën e Mesme Teknike “Skënder Luarasi”.
-Fondacioni “Valon VATA” 100.000 euro – donacion riparimi komplet i Çerdhes “Fluturat”.
– Banka Botërore 40.256.00 euro – donacion për 6 shkolla paisje dhe aktivitete tjera.
– KFORI Italian – 9000 euro donacion – Shkolla Fillore “ Sadri Duhla “ – Duhël.
– Fakulteti Ekonomik -10.414.44 euro – donacion për Shkollën Fillore “Gj.K. – Skënderbeu” –Sallagrazhdë.

Të gjitha këto kapin vlerën prej afro 370 mijë euro përjashtuar donacionin në “Shtëpinë e të Moshuarëve” në Gjinoc që në fakt vlera investive është 2.3 milion euro.

Së bashku me investimin në “Shtëpinë e të Moshuarëve” i bie se gjatë vitit 2019 Komuna e Suharekës ka pranuar donacione në vlerë jo më shumë se 2.7 milion euro.

Ndërtimi i dy unazave të qytetit

Kanë filluar punime në ndërtimin e unazës nga Zona Industriale paralel me autostradën e cila do të shkoj deri tek rruga regjionale Suharekë-Rahovec. E për kontratën me titull ‘Ndërtimi i unazës -krahu i djathtë-Suharekë; , fitues ka dalë Grupi i Operatorëve Ekonomik, ‘FAMIS CO-HC   SH.A; KAG – Asphalt Company SH.P.K’. Kontrata me kompaninë fituese ishte paraparë të nënshkruhej me 20 Janar 2020.

Edhe pse unazat ishin paraparë të ndërtohen apo të fillojnë të ndërtohen gjatë vitit 2019 në përgjigjen e tyre nga Komuna e Suharekës thojnë se “Njëra prej unazave kryesore nga drejtimi i Zonës Industriale në Shirokë ka filluar, kurse unaza tjetër besojmë se do të filloj së shpejti.

Fillimi i punimeve për ndërtimin e fabrikës së riciklimit të mbeturinave

Komuna e Suharekës në janar të vitit 2019 përmes një vendimi ka refuzuar kërkesën për rishqyrtim të kompanisë italiane Recy Technologies për ndërtimin e fabrikës së riciklimit të mbeturinave.

Zyrtari për Informim nga Komuna e Suharekës, z.Reshat Reshitaj thotë se “Lënda ende është në OSHP (Organin Shqyrtues të prokurimit) dhe posa të na njoftojnë për procedurat e mëtejme do të njoftohet opinion me kohë“. 

Finalizimi i ndërtimit të shtëpisë së kulturës “Ukë Bytyçi”-Suharekë

Më datën 10 korrik në bazë të procedurave tenderuese kompania fituese dhe Komuna e Suharekës kanë lidhur kontratë për “Ndërtimin e shtëpisë së Kulturës, Ukë Bytyçi-Faza e I-rë” ku sipas kërkesës së Komunës së Suharekës në këtë kontratë punët duhet të përfundojnë jo më shumë se 90 ditë pune sipas dinamikës së punës. Bazuar në premtimin e kryetarit Muharremaj punimet e vrazhda të Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi” do duhej të përfundonin jo më larg se 14 nëntor 2019.

Më 25 dhjetor kanë kaluar gjithsej 118 ditë pune dhe Komuna e Suharekës ka shpërblyer me tender në vlerë prej 69.163,60 euro të njëjtën kompani për punë shtesë në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi”.

Gjendja e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi” / 14 nëntor 2019

Në përgjigjen e për punimet në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi” Reshitaj thotë se: Punimet në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyqi” kanë hasur në disa vonesa, ngase pagesat janë vonuar nga Ministria e Kulturës. Më tutje do të zhvillohen kontaktet me ministrinë përkatëse dhe sigurisht për gjithçka do të njoftoheni me kohë.

Ndërtimi i rrugës Mushtisht-Shtërpc, Mushtisht-Gradancë

Tenderi për këtë rrugë nuk u ndal me kaq, ai është kthyer tre herë në rivlerësim për parregullsi. OSHP është paditur në Gjykatën Themelore në Prishtinë për këto shkelje dhe lënda është ende në proces. Kompania fituese ka nisur punimet e kësaj rruge por nga ajo që shihet është se punimet janë ndërpreë që një kohë dhe makineritë e kompanisë nuk duken në teren.

Rruga që do të lidhë Komunën e Suharekës me atë të Shtërpcës

Punimet në rrugë janë zhvilluar. Është hasur në disa  probleme pronësore, prandaj ka pasur ngecje. Ndërkohë besojmë se do të punohet më tutje që të vazhdojnë punimet” ka qenë përgjigja e Komunës së Suharekës.

Këtë vit së bashku me drejtorinë e administratës do të fillojmë ndërtimin e objektit të ri të komunës

Në planin vjetor për vitin 2019 kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj në kuadër të Drejtorisë për Administratë kishte premtuar fillimin e ndërtimit të objektit të ri të komunës.

Madje më 6 mars 2019 Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka nënshkruar një marrëveshje me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për objektin e ri i të Komunës i cila do të ndërtohej brenda dy viteve.

Ky projekt është investim i përbashkët me Komunën e Suharekës dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Sipas marrëveshjes në vitin 2019 MAPL financon me 500.000,00 euro ndërsa Komuna e Suharekës me 50.000,00 euro, ndërsa në vitin 2020 MAPL financon me 850.000,00 euro ndërsa Komuna e Suharekës me 200.000,00 euro.

MARRËVESHJA DYPALËSHE PËR BASHKËFINANCIMIN E PROJEKTIT “NDËRTIMI I OBJEKTIT TË RI TË KOMUNËS” KOMUNA E SUHAREKËS 06 Mars 2019
MARRËVESHJA DYPALËSHE PËR BASHKËFINANCIMIN E PROJEKTIT “NDËRTIMI I OBJEKTIT TË RI TË KOMUNËS” KOMUNA E SUHAREKËS 06 Mars 2019

I pyetur nga redaksia e SuharekaOnline, z.Reshat Reshitaj, ka thënë se “komuna ka një dokument që vërteton nënshkrimin e marrëveshjes në fjalë, mirëpo gjatë kohës nuk është bërë destinimi i mjeteve nga ana e Ministrisë. Ne sigurisht do t’u drejtohemi me kërkesë vazhdimisht që ky projekt të  realizohet në të ardhmen“.

Objekti i i ri i Komunës së Suharekës