Tutaj kritikon Muharremajn: Përjashtimi i komuniteteve nga kryesitë e fshatrave është diskriminim

08.10.2026

Kryetari i subjektit politik PDAK, Bajram Tutaj, ka kritikuar kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së kryesive të fshatrave dhe përfaqësimit të komuniteteve në to.

Tutaj, përmes një reagimi, ka thënë se është i befasuar që në përbërjen e kryesive të fshatrave nuk po përfshihen persona nga komunitetet që jetojnë në ato fshatra apo në qytet.

Sipas tij, një praktikë e tillë përbën diskriminim dhe nuk është në frymën e bashkëpunimit të pritur institucional.

“Ne, si banorë të kësaj komune, jemi të befasuar me kryetarin z. Bali Muharremaj dhe kryesitë që po i formojnë për fshatrat e Komunës së Suharekës. Nuk caktohet asnjë anëtar nga radhët e komunitetit që jeton aty në fshat apo qytet. Kjo quhet diskriminim”, ka deklaruar Tutaj.

Ai ka përmendur edhe marrëveshjen mes AAK-së dhe PDAK-së, duke thënë se mënyra aktuale e veprimit nuk përfaqëson bashkëpunimin e pritshëm.

Tutaj ka bërë të ditur se përgjegjësinë për këtë çështje ia lë kabinetit të kryetarit Muharremaj.

“Kjo nuk është bashkëpunimi sipas marrëveshjes së AAK-së dhe PDAK-së. Përgjegjësia mbetet në ndërgjegjen e kabinetit të z. Muharremaj”, ka thënë ai.