Nga 20 premtimet e bëra, Bali Muharremaj ka realizuar vetëm 7

Instituti GAP ka publikuar në platformën elektronike “Letërnjoftimi i Komunave” progresin e kryetarëve të komunave në përmbushjen e premtimeve të dhëna në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2017. 

Platforma është rifreskuar me informata që përmbledhë të dhëna nga fillimi i këtij mandati deri në muajin dhjetor të vitit 2019, përkatësisht gjysma e mandatit të kryetarëve aktual të komunave.

Nga gjithsej 903 premtime të evidentuara nga Instituti GAP, deri në muajin dhjetor 2019, komunat kanë përmbushur 304 premtime, 171 premtime rezultojnë gjysmë të përmbushura, 233 premtime kanë filluar të përmbushen ose ka nisma në përmbushjen e tyre, ndërsa për 195 premtime nuk është evidentuar ndonjë nismë komunale në përmbushjen e tyre.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, nga radhët e AAK-së, nga 20 premtimet e bëra, vetëm 7 i ka realizuar, 3 gjysmë të përmbushura, 7 të filluara e 3 premtime as që i ka nisur.

Deri tani Muharremaj ka realizuar këto premtime:

1. Ndërtimi i shtigjeve për çiklizëm, vrapim dhe ecje, ka përfunduar në tërësi projekti me gjatësi 2.5 km.
2. Ndërtimi i rrugëve Qafë – Duhel – Graqevc – Papaz, Mushtisht – Shtërpcë, Suharekë -Malishevë (Nishor-Bellanicë), Suharekë – Rahovec (lidhja me autostradë). Rruga Qafë Duhël- Greiqevc- Papaz ka përfunduar. Rruga Mushtisht – Shtërpc është në vazhdim të punimeve. Rruga Nishor – Bellanic ka përfunduar. Rruga Suharekë- Rahovec ka përfunduar.
3. Përkrahje të vazhdueshme të projekteve të teatrit, filmit, muzikës dhe artit. Komuna vazhdon të përkrahë kërkesat për aktivitete kulturore (me shuma simbolike) si dhe ka ndihmuar në themelimin e shoqatës së artistëve pamor.
4. Pajisja e QKMF-ve me aparatura të reja. QKMF në Suharekë është bërë me rëntgen digjital dhe reparti i rëntgenit punon me dy ndërrime.
5. Funksionalizimi i tërësishëm i QMF-ve. Janë funksionalizuar të gjitha QMF-të në Komunën e Suharekës.
6. Punësimi i 40 personave si staf shtesë në sistemin e shëndetësisë. Gjatë kësaj periudhe, janë punësuar rreth 50 persona – staf mjekësor. Komuna është ndihmuar edhe nga Caritas Kosova për këtë angazhim.
7. Puna me dy ndërrime në ambulancat në fshatrat Mushtisht, Studençan dhe Duhle, dhe kryerja e analizave bazike shëndetësore.

Ndërsa premtimet që janë gjysmë të përmbushura:

1.Ndërtimi i shkollës së re fillore “Vasa Pasha Shkodrani” në Leshan. Ka filluar ndërtimi i objektit të shkollës fillore “Vasa Pasha Shkodrani” në Leshan, por punimet deri në muajin dhjetor 2019 akoma nuk kanë përfunduar. Objekti ndërtohet dhe mbikëqyret nga MASHT.
2. Ndërtimi i pjesës së parë të unazës së qytetit nga zona industriale në Shirokë me mundësi lidhje me autostradë. Janë afër përfundimit punimet në Zonën Industriale, ku pjesë e këtij projekti është edhe unaza që e lidh Zonën Industriale me autostraden. Ka përfunduar kanalizimi, ndriçimi publik dhe rrugës unazore që lidhet me autostradën në Zonën Industriale, investim ky nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Komuna i ka parashtruar kërkesë qeverisë së Kosovës për t’u mundësuar kyçja në autostradë.
3. Ndërtimi i Qendrës së Kulturës brenda se cilës do të ketë bibliotekë, qendër rinore dhe muze komunal. Në muajin korrik (2019), komuna ka rifilluar punimet për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyqi”.

LEXO EDHE:  Si pritet të ndikojë rishikimi i buxhetit të shtetit për 2020 në projektet kapitale të MI-së

Premtimet e filluar:

1. Ndërtimi i pjesës së dytë të unazës së qytetit nga zona e Damperit deri në pjesën e epërme të Suharekës. Segmenti i parë i këtij projekti ka përfunduar, ndërsa lidhur me fazen e dytë dhe të tretë, komuna ka shpallur procedurat e prokurimit, por ka pasur ankesa ne OSHP çka ka ndikuar në zvarritjen e punimeve.
2. Ndërtimi i sheshit të ri në Suharekë. Komuna Suharekës ka përfunduar të gjitha procedurat dhe ka pranuar projektin detal të sheshit, sipas konkursit ndërkombëtar. Gjatë kësaj periudhe komuna ka mbajtur diskutim publik me qytetarët ku është diskutuar ky projekt. Punet kanë nisur dhe vlera e investimit është rreth 3.5 milionë euro.
3. Renovimi i stadiumit të qytetit në Suharekë. Komuna ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për finalizimin e projektit për renovimin e stadiumit të qytetit. Punët në terësi akoma nuk janë kryer.
4. Restaurimi i disa objekteve me vlera të veçanta të trashëgimisë. Komuna dhe MKRS kanë nënshkruar marrëveshjet për bashkëfinancim për restaurimin e Kullës së Ramë Bllacës, Shtëpisë së Fadil Vatës dhe Kullës së Familjes Tafolli. Po ashtu Komuna e Suharekës ka nënshkruar kontratë për renovimin dhe mirëmbajtjen e lapidareve në Komunën e Suharekës si dhe rregullimin e Parkut të Dëshmorëve në Suharekë.
5. Ndërtimi i vend-pritjeve moderne për autobus. Komuna ka vendosur ministacionet, apo vend-pritjet moderene për autobusë, në aksin rrugor Prishtinë – Prizren, përkatesisht nga Pusi Atit ( Malesi e Re) deri në Duhël. Por ky projekt nuk është shtrirë (ndonëse është paraparë) edhe në akset e tjera si dhe zonat brenda qytetit të Suharekës.
6. Ndërtimi i basenit akumulues të ujit të pijes në Biraq. KRU “Hidroregjioni” ka nisur ndërtimin e basenit akumulues të ujit të pijes në Biraq, por punët janë larg përfundimit.
7. Pastrimi dhe rregullimi i të gjitha hapësirave para objekteve banesore dhe korridoret e tyre publike apo private, që do të jenë kompetencë e komunës.

Premtimet që nuk kanë filluar:

1. Hapja e një ekspozite të përhershme të trashëgimisë historike të Suharekës.
2. Sigurimi i vendit të punës brenda territorit të komunës për çdo të diplomuar në mjekësi.
3. Themelimi i një ndërmarrje për trajtimin e ujërave të zeza. Është përfunduar faza e parë e studimit të largimit të ujerave të ndotura për Komunën e Suharekës, ndërsa komuna është në hulumtim të gjetjes së fondeve për ndërtimin e Impiantit të trajtimit të ujërave të zeza.