Muharremaj thotë se s’e ka realizuar vetëm një premtim si kryetar i Suharekës

04.06.2021

Ende nuk janë shpallur zgjedhjet lokale për komunat e Kosovës. Ndonëse nuk është bërë e ditur ndonjë datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, subjektet politike kanë filluar prezantimin e kandidatëve për kryetar të Komunave apo edhe për Kuvend Komunal. Duke marrë parasysh proceset e kaluara të zgjedhjeve lokale, edhe në këto zgjedhjet të këtij viti […]

Muharremaj thotë se s’e ka realizuar vetëm një premtim si kryetar i Suharekës Foto: Ilustrim

Ende nuk janë shpallur zgjedhjet lokale për komunat e Kosovës.

Ndonëse nuk është bërë e ditur ndonjë datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, subjektet politike kanë filluar prezantimin e kandidatëve për kryetar të Komunave apo edhe për Kuvend Komunal.

Duke marrë parasysh proceset e kaluara të zgjedhjeve lokale, edhe në këto zgjedhjet të këtij viti mijëra kandidatë do të garojnë për pozitën e kryetarit në gjithsej 38 komuna apo edhe për ulëse në Kuvendet Komunale.

Megjithatë, edhe pse ende nuk është zyrtarizuar kandidati për kryetar të Komunës së Suharekës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ai si duket do të jetë kryetari aktual i kësaj komune si dhe kryetar i degës së AAK-së në Suharekë, Bali Muharremaj.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka qenë i ftuar në Interaktiv të KTV-së, ku edhe ka thënë se në mandatin e kryetarit të kësaj komune, nuk e ka realizuar vetëm një nga 20 premtimet që pati dhënë në fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale të 2017’s.

Sipas tij, ky premtim ka të bëjë me themelimin e një ndërmarrjeje që do të merrej me ujërat e zeza.

“Prej 20 premtimeve besoj vetëm një s’e kam realizuar. Kjo është pasi që një person kur kandidon për herë të parë, nuk mund t’i dijë të gjitha gjëra.

Derisa është “Hidroregjioni” si kompani shtetërore publike, s’kemi të drejtë të krijojmë kompani tjetër”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së, teksa ka pranuar se si komunë u është shfaqur në disa fshatra problemi me kanalizim.

Po ashtu Muharremaj ka thënë se edhe premtimi i tij që s’do të ketë mjek të papunë në këtë komunë është përmbushur.

Kujtojmë se sa i përket zyrtarizimit të kandidatëve për kryetar të Komunës së Suharekës për zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vit, një gjë të tillë e ka bërë vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dega Suharekë, ku në mbledhjen e kryesisë së degës së LDK-së në Suharekë është votuar unanimisht që Ardian Shala të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Suharekës.