Muharremaj: Së shpejti do të ndërtohet kulla “Besim Ndrecaj” në Shirokë
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në një intervistë për SuharekaOnline, ka folur për projektet e komunës që lidhen me ndërtimin e kullave përkujtimore në territorin e Suharekës, të cilat po ndërtohen me qëllim të ruajtjes së kujtesës historike dhe kulturore të vendit.
Foto: Ilustrim
Muharremaj ka njoftuar se së shpejti në fshatin Shirokë do të ndërtohet kulla “Besim Ndrecaj”, e cila do t’i shtohet listës së kullave të ngritura gjatë viteve të fundit në komunë.
Po ashtu, Muharremaj ka sqaruar edhe arsyen pse vendndodhja e kullës është përcaktuar në Shirokë dhe jo në fshatin Maqitevë, duke theksuar se Shiroka ka një pozitë më të përshtatshme, me dy unaza lidhëse që e bashkojnë qytetin me shumë zona të tjera të Komunës së Suharekës.
Sipas tij, kjo e bën qarkullimin më të madh dhe më të lehtë për vizitorët, ndaj edhe ndërtimi në këtë lokacion do t’i mundësojë kullës të vizitohet më shpesh dhe të ketë ndikim më të gjerë turistik.
Ai ka bërë të ditur se deri më tani në Suharekë janë ndërtuar gjashtë kulla përkujtimore, ndërsa së fundmi pritet të hapet edhe kulla në fshatin Budakovë.
“Kullat që po ndërtojmë në Suharekë kanë një qëllim të qartë – të mos harrohet historia jonë dhe që brezat e rinj të mësojnë për të kaluarën e vendit tonë”, ka deklaruar Muharremaj.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se përurimi i kullës në Budakovë është planifikuar të mbahet më 28 Nëntor, në Ditën e Flamurit, si një simbolikë e veçantë për nderimin e historisë dhe sakrificës së qytetarëve të kësaj ane.
Projektet e ndërtimit të kullave janë pjesë e përpjekjeve të Komunës së Suharekës për të promovuar trashëgiminë kulturore dhe për të nxitur turizmin lokal, duke kthyer këto objekte në pika të rëndësishme historike dhe edukative për vizitorët dhe gjeneratat e reja.