Ministri Vitia për Fitore Zenelajn: Njerëzit që luftojnë të paepur lënë pas frymëzimin për mosdorëzim

14.11.2023

Pas një beteje të gjatë me kancerin ka vdekur infermierja Fitore Zenelaj. Për vdekjen e saj, familjes i shprehu ngushëllime edhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia. Vitia tha se ajo do të mbahet në mend dhe respektohet gjithmonë. Ai theksoi se infermierja luftoi me sëmundjen e saj, por mbi të gjitha i mësoi të tjerët […]

Ministri Vitia për Fitore Zenelajn: Njerëzit që luftojnë të paepur lënë pas frymëzimin për mosdorëzim Foto: Ilustrim

Pas një beteje të gjatë me kancerin ka vdekur infermierja Fitore Zenelaj.

Për vdekjen e saj, familjes i shprehu ngushëllime edhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.

Vitia tha se ajo do të mbahet në mend dhe respektohet gjithmonë.

Ai theksoi se infermierja luftoi me sëmundjen e saj, por mbi të gjitha i mësoi të tjerët se si të luftojnë.

“Gjallëria, entuziazmi e dashamirësia që rrezatonte Fitorja do të mungojnë në jetët e të gjithë atyre që patën rastin të punojnë me të, të trajtohen nga ajo dhe ata që e kishin pranë në jetën e tyre”, tha ai.

I pari i MSh-së u shpreh i pikëlluar për vdekjen e infermieres Fitore Zenelaj.

“Në vend të lamtumirës për Fitore Zenelaj. Njerëzit që luftojnë të paepur lënë pas frymëzimin për mosdorëzim. Fitorja do të jetë përjetë frymëzim i tillë”, tha ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.

Ndryshe, pas betejës me një sëmundje të rëndë, të hënën ka ndërruar jetë infermierja Fitore Zenelaj nga Suhareka. E ndjera ka vdekur teksa ishte duke u trajtuar në Francë.

Lajmin e ka dhënë familja, me ç’rast kanë bërë të ditur se për ditën dhe orën e ceremonisë mortore do të njoftojnë me kohë.

Njoftimi i familjes:

Të nderuar familjar, miq, shokë, dashamirë, me dhimbje dhe pikëllim të madh,  ju njoftojmë se më e dashura  jonë Fitore Zenelaj  pas një sëmundje të rënde ka ndërruar jetë gjatë trajtimit në Francë, me datë 13.11.2023.