Mërgimtari nga Suhareka zgjedhet asambleist komunal në Austri

30.01.2020

I pasur është bagazhi politik i bashkatdhetarit nga Badeni i Austrisë, Nisret Bujari, me prejardhje nga Suhareka. Që nga ardhja e tij në Austri në vitin 1999, ai iu përvesh punës në fushën e gastronomisë, duke pasur mundësi që të krijojë kontakte me personalitete të ndryshëm të jetës politike në këtë vend alpik. Nën numrin […]

Mërgimtari nga Suhareka zgjedhet asambleist komunal në Austri Foto: Nisret Bujari

I pasur është bagazhi politik i bashkatdhetarit nga Badeni i Austrisë, Nisret Bujari, me prejardhje nga Suhareka.

Që nga ardhja e tij në Austri në vitin 1999, ai iu përvesh punës në fushën e gastronomisë, duke pasur mundësi që të krijojë kontakte me personalitete të ndryshëm të jetës politike në këtë vend alpik.

Nën numrin 37 Nisreti ka garuar në zgjedhjet komunale të 26 janarit 2020 në asamblenë komunale dhe në bazë të rezultateve ai është zgjedhur asambleist në komunën e Badenit të Austrisë.

Ndër 80 kandidatët që kanë garuar nga partia ÖVP e kryeministrit aktual 10 asambleistë kanë fituar vende nga të cilët Nisret Bujari renditet i treti nga më të votuarit.

Sipas rezultateve preliminare bëhet e ditur se në top 5 më të votuarit nga partia ÖVP janë: Stefan Szirucsek, Michael Autin, Nisret Bujari, Michael Capek, Herbert Dopplinger.

Ky është një hap shumë i rëndësishëm për shqiptarët e shumtë në këtë rrethinë, të cilët ai eventualisht do t`i përfaqësojë në synimet e tyre për një jetë më të lehtë në sistemin shoqëror austriak.

Që nga viti 2015, ai ka kaluar në sferën e kopshtarisë duke hapur një sipërmarrje të kopshtarisë. Mirëpo, ai nuk ndaloi me aktivitetet e tij politike në shumë sfera, duke bërë përpjekje për të integruar sa më mirë bashkadhetarët tanë.

Kohëve të fundit, ai është duke bërë përpjekje për hapjen e një klubi në të cilin do të bëhej i mundshëm takimi sa më i shpeshtë me bashkatdhetarë dhe të huaj të tjerë, në mënyrë që t`u mundësohet integrimi në shoqërinë austriake.

Nisreti pohon se është shumë i afërt me partinë ÖVP të kryeministrit aktual, Sebastian Kurz, pasi ai ka kontribuar shumë për afirmimin e kësaj partie në forma të ndryshme të afrimit të personave të tjerë me këtë parti.