Kosova dhe Austria nënshkruajnë protokoll për thellimin e bashkëpunimit ekonomik

15.10.2026

Kosova dhe Austria synojnë të thellojnë bashkëpunimin ekonomik, me fokus në investime, zhvillim industrial dhe integrimin e ndërmarrjeve kosovare në zinxhirët evropianë të furnizimit.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) dhe Ministria Federale e Ekonomisë, Energjisë dhe Turizmit e Austrisë kanë nënshkruar Protokollin e sesionit të gjashtë të Komisionit të Përbashkët për Marrëdhëniet Ekonomike Bilaterale.

Sesioni u mbajt më 14 tetor 2026 në Vjenë, ku delegacioni i Kosovës u udhëhoq nga Artan Demolli, ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm të MINTI-t, ndërsa delegacioni austriak nga Elisabeth Weissenböck, udhëheqëse e Drejtorisë për Marrëdhënie Ekonomike me Jashtë.

Gjatë takimit, palët diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në zhvillimin industrial, energjinë e ripërtëritshme, digjitalizimin, inovacionin, pronësinë industriale dhe arsimin profesional dual. Në fokus ishin edhe menaxhimi i mbeturinave dhe ekonomia qarkore.

Protokolli parasheh koordinim më të madh institucional, shkëmbim të ekspertizës dhe organizim të takimeve ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve, me qëllim të identifikimit të projekteve të përbashkëta dhe krijimit të mundësive të reja për investime.

Në përfundim të sesionit, palët u pajtuan që takimi i ardhshëm i Komisionit të Përbashkët të mbahet në Prishtinë, për të vazhduar dialogun dhe për të avancuar fushat e dakorduara të bashkëpunimit.