Mbi 10 milionë euro për investime kapitale – Muharremaj e Shala zbulojnë planet e tyre për Suharekën

28.10.2025

Në emisionin “Kallxo Përnime” është zhvilluar një debat i ashpër dhe përmbajtësor mes dy kandidatëve për kryetar të Komunës së Suharekës, Ardian Shala nga LDK dhe Bali Muharremaj nga AAK.

Të dy kandidatët prezantuan planet e tyre për zhvillimin e komunës dhe diskutuan mbi buxhetin e planifikuar për periudhën 2026–2028, duke shpalosur vizionet e tyre për menaxhimin e financave publike.

Sipas dokumenteve komunale, për këtë periudhë trevjeçare Komuna e Suharekës ka planifikuar që për shërbime publike, mjedis dhe emergjencë të shpenzojë 10,602,683 euro, ku vetëm për vitin 2026 janë paraparë 5,546,842 euro.

Për Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit, buxheti total është 370,000 euro, ndërsa për vitin 2026 janë planifikuar 120,000 euro. Në sektorin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të ndahen 1,680,000 euro, prej të cilave 480,000 euro do të shpenzohen në vitin 2026. Për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale janë planifikuar 1,945,000 euro, me 140,000 euro të parashikuara për vitin 2026, ndërsa për Arsim dhe Shkencë janë caktuar 1,804,227 euro, prej të cilave 599,277 euro do të shpenzohen në vitin 2026.

Muharremaj e Shala shpërfaqën idetë dhe planprogramet e tyre për mandatin katërvjeçar nëse i fitojnë zgjedhjet.

Në këtë debat, Ardian Shala, kandidati i LDK-së, theksoi se prioritet i tij do të jetë zhvillimi i infrastrukturës dhe modernizimi i qytetit.

Ai premtoi që gjatë katër viteve të qeverisjes së tij do të investohen 15.3 milionë euro në rrugë, mirëmbajtje dhe projekte infrastrukturore.

“15.3 milionë euro do të shpenzojmë për mirëmbajtje dhe për rrugë të reja, dhe në infrastrukturë në të gjitha pjesët e saj. 15.3 milionë për katër vjet është fjala. Nëse e marrim për një vit, domethënë përpjesëtohet kjo shumë,” – tha Shala.

Ai shtoi se një nga projektet më të rëndësishme do të jetë përfundimi i unazës së qytetit dhe investimet në pjesën e sheshit qendror.

“Sidomos do të investojmë te unaza, përfundimi i unazës së qytetit është prioritet. Pastaj do të investojmë shumë te pjesa e sheshit. Kemi edhe projektin ‘Smart and Safe City’, që do të sjellë kamera monitoruese në kohë reale në qytet,” – u zotua Shala.

Nga ana tjetër, Bali Muharremaj, kandidati i AAK-së, theksoi se prioritet i tij do të jetë lidhja e fshatrave përmes infrastrukturës rrugore dhe zhvillimi i turizmit malor.

“Kemi plan të lidhim fshatin me fshat pasi që jemi para përfundimit të infrastrukturës rrugore në shumë fshatra. Do të investojmë sidomos në turizëm malor, kemi plan me e zhvillu turizmin malor,” – tha Muharremaj.

Ai gjithashtu paralajmëroi projekte të reja zhvillimore në fshatra, përfshirë krijimin e kompanisë ‘Eko-Theranda’, e cila, sipas tij, do të ketë rol të rëndësishëm në mirëmbajtjen e pronave publike dhe të banesave komunale.

“Në rend të parë do ta kemi objektin e ‘Eko-Therandës’, kompani që është ndërtu prej zeros dhe do t’i marrë mbikëqyrjen e të gjitha pronave publike, jo vetëm në shtet, por edhe në komunën e Suharekës e nëpër fshatra. Ajo do të merret me mirëmbajtjen e banesave dhe liftave, në interes të qytetarëve,” – theksoi Muharremaj.