Kontratat me OJQ-të janë shfrytëzuar për të punësuar staf shëndetësor në QKMF

Ligji për Prokurimin Publik në fuqi i njeh OJQ-të si operatorë ekonomik, mirëpo në nenin 132/A të këtij ligji, përcaktohet se Qeveria e Republikës së Kosovës me akt nënligjor përcakton rregullat, standardet dhe procedurat e kontraktimit të shërbimeve publike për organizatat e shoqërisë civile.

Në Kosovë nuk ka legjislacion adekuat, i cili rregullon standardet dhe procedurat për kontraktimin e OJQ-ve për ofrimin e shërbimeve publike nga ana e komunave, ministrive, apo agjencive të pavarura. Në vitin 2017, Ministria e Financave ka miratuar rregulloren MF-NR–04/2017 mbi Kriteret, Standardet, dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve. Mirëpo, kjo rregullore nuk e rregullon çështjen e kontraktimit të shërbimeve që ofrohen nga OJQ-të.

Në kuadër të monitorimit të prokurimit publik në komuna, INPO ka hasur në katër (4) aktivitete të prokurimit që kanë rezultuar me lidhjen e kontratave publike për shërbime me OJQ, të cilat kanë të bëjnë më ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Në asnjërën nga këto aktivitete të prokurimit nuk është shënuar se kontraktimi i shërbimeve është planifikuar të bëhet nga OJQ-të.

Konkretisht, INPO ka monitoruar këto kontrata: (i) “Shërbime për realizimin e vitalizimin e infrastrukturës për funksionalizimin e projektit shtretërit shtëpiakë” në komunën e Suharekës me vlerë prej 219,725.50€ në kohëzgjatje prej 12 muajsh; (ii) “Kujdesi SocioShëndetësor shtëpiak dhe ambulantor për qytetarët e komunës së Prizrenit” në Prizren me vlerë prej 219,725.50€ në kohëzgjatje prej 12 muajsh; (iii) “Shërbime Profesionale për QKMF dhe Administratën Komunale” në Gjilan me vlerë prej 539,600€ në kohëzgjatje prej 36 muajsh; si dhe në komunën e Shtimes (iv) “Kujdesi shtëpiak paliativ i të sëmurëve”, për të cilën INPO nuk të dhëna për vlerën reale të kontratës dhe kohëzgjatjen e saj. INPO ka gjetur se për këto kontrata kishte vetëm një (1) ofertues, një OJQ, e cila edhe i ka fituar të gjitha këto kontrata. Nga hulumtimi i këtyre kontratave, rezulton se në dosjet e tenderit të tri (3) kontratave, 62 specifikimet teknike të detyrueshme janë identike më njëra tjetrën dhe vetëm sasia është e ndryshme.

Zyra për Qeverisje të Mirë, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka deklaruar për INPO-n se “Licencat janë një parakusht për të aplikuar për ofrimin e shërbimeve përkatëse dhe kjo vlen edhe për ofruesit e tjerë të shërbimeve, përveç ofruesve të shërbimeve shtetërore.”

Të gjeturat tregojnë se OJQ “Caritas Kosova”, fituese e këtyre kontratave është e licensuar vetëm në ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare, respektivisht “Ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare për persona të moshuar, persona me aftësi të kufizuara dhe fëmijë të margjinalizuar në nivel nacional. Nr. i licencës 30/2018.

Tutje, Komuna e Prizrenit dhe Suharekës, nuk kishte kërkuar listën e punonjësve shëndetësorë dhe nuk kishin kërkuar dëshmi se punonjësit shëndetësorë janë të licensuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

INPO vlerëson së komunat respektive gjatë udhëheqjes së procedurave për të kontraktuar shërbime mjekësore dhe ambulantore nga OJQ-të kanë vepruar në kundërshtim me bazën ligjore.

Në bazë të hulumtimit, INPO ngritë dyshime se këto kontrata janë shfrytëzuar për të punësuar staf shëndetësorë në Qendrat e Mjekësisë Familjare të Komunave.