“LOKJA” Regjistrohet Zyrtarisht si OJQ dhe Prezanton LOKJA Festival 2026 në Komunën e Suharekës

06.02.2026

LOKJA nuk është më vetëm një ide – tashmë është një lëvizje zyrtare. Sot shënohet një ditë e veçantë për rininë e Suharekës, pasi është bërë zyrtarizimi i organizatës joqeveritare “LOKJA”, një iniciativë që synon të sjellë energji të re në jetën kulturore dhe artistike të qytetit.

Si hap i parë pas regjistrimit, përfaqësuesit e OJQ-së LOKJA vizituan Komunën e Suharekës, ku prezantuan projektin e tyre madhor, LOKJA Festival 2026 – një festival që synon ta shndërrojë Suharekën në një pikë referimi për artin, kulturën dhe rininë në Kosovë.

Gjatë takimit, u falënderua Kryetari i Komunës, z. Bali Muharremaj, si dhe nënkryetarja e komunës, për pritjen e ngrohtë dhe gatishmërinë e treguar për të mbështetur këtë vizion rinor dhe kulturor.

Përfaqësuesit e LOKJA-s theksuan se kanë zgjedhur të qëndrojnë dhe të punojnë në Suharekë, me synimin që qyteti të marrë një rol të rëndësishëm në hartën kulturore të vendit.

Sipas tyre, ky është vetëm fillimi i një epoke të re për rininë dhe kulturën lokale.OJQ “LOKJA” fton të gjithë të rinjtë, artistët dhe qytetarët që t’i bashkohen kësaj nisme dhe të bëhen pjesë e ndryshimit që po nis nga Suhareka.