Gjatë vitit 2020 Suhareka shënoi regres në transparencë buxhetore

24.10.2021

Vlerësimi bazohet në numrin e dokumenteve buxhetore të publikuara, organizimin e dëgjimeve buxhetore me qytetarë dhe përgjigjet në kërkesat e Institutit GAP për qasje në dokumente buxhetore. Progres më të madh në transparencë buxhetore në vitin 2020 kanë komuna e Shtimes, Malishevës, Podujevës, Kaçanikut dhe Gjilanit. Ndërsa, komunat që kanë shënuar regres janë Drenasi, Suhareka, […]

Gjatë vitit 2020 Suhareka shënoi regres në transparencë buxhetore Foto: Ilustrim

Vlerësimi bazohet në numrin e dokumenteve buxhetore të publikuara, organizimin e dëgjimeve buxhetore me qytetarë dhe përgjigjet në kërkesat e Institutit GAP për qasje në dokumente buxhetore.

Progres më të madh në transparencë buxhetore në vitin 2020 kanë komuna e Shtimes, Malishevës, Podujevës, Kaçanikut dhe Gjilanit. Ndërsa, komunat që kanë shënuar regres janë Drenasi, Suhareka, Istogu dhe Ferizaji.

Përkundër obligimeve ligjore, një numër i konsiderueshëm i komunave vazhdojnë të mos i publikojnë dokumentet buxhetore siç kërkon legjislacioni në fuqi, konkretisht udhëzimi administrativ i MAPL për transparencë në komuna.

Për dallim nga viti 2019 ku Suhareka ishte vlerësuar me 69.5 pikë nga 100 të mundshme, në vitin 2020 Komuna e Suharekës është vlerësuar me 55.5 pikë dhe renditet në mesin e komunave me transparencë buxhetore të mesëm të ulët.

Bazuar në indeksin e GAP për transparencë buxhetore, komuna e Suharekës bën pjesë në kuartilin e mesëm të ulët që në indeks marrin 62 ose më pak pikë.

Kjo komunë, raportin financiar TM1 dhe Kornizen Afatmesme Buxhetore 2021- 2023 i ka publikuar në formatin ‘Excel’ i cili lejon qasje dhe përdorim të lehtë të të dhënave të publikuara. Ndërsa, raportet financiare TM2 dhe TM3, buxhetin e planifikuar për 2021 i ka publikuar në formatin ‘PDF’. Kurse, rregulloren për ndarjen e subvencioneve, listen e përfituesve të subvencioneve për 2020 i ka publikuar në formatin ‘PDF i skanuar’ që e bën më të vështirë përdorimin e këtyre të dhënave nga palët e interesuara.

Komuna e Suharekës në faqen zyrtare të saj ka njoftuar për mbajtjen e së paku katër dëgjimeve buxhetore me qytetarët për buxhetin e vitit 2021 si dhe ka bërë publike kontratat e nënshkrua. Komuna e Suharekës nuk e ka publikuar raportin vjetor financiar për 2020 dhe Kartelën Analitike të Kontos si një ndër dokumentet më të detajuara për shpenzimet buxhetore. Kjo komunë është përgjigjur në kërkesat për qasje në informacione konform Ligjit për qasje në dokumente publike.