Raporti i GAP: Mbi 3 mijë mësimdhënës mbeten jashtë financimit nga granti i arsimit

29.06.2026

Instituti GAP ka publikuar analizën “Numri i mësimdhënësve në komuna: tepricë apo nevojë?”, ku evidenton se zbatimi më strikt i formulës për financimin e mësimdhënësve ka lënë jashtë grantit të arsimit gjithsej 3,101 mësimdhënës në nivel vendi për vitin 2026.

Sipas raportit, komunat kanë raportuar 27,282 mësimdhënës, ndërsa Ministria e Financave ka miratuar financimin për 24,200 prej tyre. Si pasojë, rreth 11.3 për qind e mësimdhënësve të paraqitur nuk financohen nga granti, duke krijuar një barrë shtesë mbi 24 milionë euro për buxhetet komunale.

GAP paralajmëron se situata do të vazhdojë edhe në vitin 2027, kur numri i mësimdhënësve të financuar pritet të ulet edhe për 263 të tjerë.

Instituti vlerëson se rënia e vazhdueshme e numrit të nxënësve, pa përshtatjen e numrit të mësimdhënësve dhe shkollave, ka krijuar një problem strukturor në arsimin parauniversitar.

Në raport rekomandohet që komunat të nisin riorganizimin e rrjetit shkollor dhe menaxhimin e stafit arsimor, në mënyrë që sistemi të përshtatet me ndryshimet demografike dhe financiare.