Fillon vaksinimi kundër gripit sezonal në Suharekë, vaksinohen rreth 36 qytetar
Në Kosovë nga sot ka filluar procesi i vaksinimit kundër gripit sezonal.
Ky proces i vaksinimit ka filluar edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Rexhep Kuçi” në Suharekë.

Në një prononcim për SuharekaOnline, Shefi i Qendrës së Vaksinimit në Suharekë, Nuredin Morina ka bërë të ditur se qendra e vaksinimit që drejton ai ka pranuar 3.200 doza të vaksinave kundër gripit sezonal nga Ministria e Shëndetësisë. Ai tha se ky numër ka qenë kërkesë e kësaj qendre duke u bazuar në numrin e vaksinave të shpenzuara nga vitet e kaluara, mirëpo nëse është e nevojshme do të shtohet numri i tyre.
Morina poashtu tregon se vaksina kundër gripit sezonal është një vaksinë e cila preferohet për të gjithë pa dallim moshe, e njejta rekomandohet edhe për fëmijet, për personat me sëmundje kronike edhe për gratë shtatëzëna, por nuk preferohet për personat që kanë terapi aktive.
Shefi i Qendrës së Vaksinimit në Suharekë, Nuredin Morina apelon të gjithë që të vaksionohen sepse vaksina ka shumë dobi, sidomos personelin shëndetësor.
“Bëj apel tek të gjithë që të vaksionohen me këtë vaksinë sepse ka shumë dobi, dëme nuk ka, tash e sa vite nuk kemi pas ndonjë rast që vaksina i ka ndikuar negativisht apo ka shkaktuar ndonjë alergji. Unë poashtu, apeloj edhe puntorët shëndetësor që të vaksionohen në mënyrë që të mbrohen nga gripet e ndryshme, sepse ata janë të parët që rrezikohen dhe duke u vaksionuar ata mbrohen dhe nuk do të kemi problem me mungesë të stafit” tha Morina.
Tutje, Morina bënë të ditur se qytetarët e Komunës së Suharekës do të kenë mundësi që të vaksionohen çdo ditë pune prej orës 08:00 deri 15:30, vetëm në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë dhe jo në qendra tjera, për shkak se këtë e ka obliguar Ministria e Shëndetësisë në mënyrë që të regjistrohen të gjithë ata që vaksionohen, e kjo mundësi e dixhitalizimit momentalisht është vetëm në këtë qendër.

Për SuharekaOnline Morina ka bërë të ditur se sot në ditën e parë të vaksinimit kundër gripit sezonal, janë vaksinuar rreth 36 persona, kryesisht të moshave më të vjetra.
Shefi i qendrës së Vaksinimit në Suharekë, Nuredin Morina, kërkon mirëkuptim nga të gjithë qytetarët duke kërkuar që të kenë durim gjatë procesit dhe të mos shkaktohen flukse të mëdha, sepse ka vaksina të mjaftueshme për të gjithë ata që dëshirojnë të vaksionohen.