Rritet numri i rasteve të gripit, IKSHPK bënë thirrje për vaksinim
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar për një rritje të rasteve të gripit sezonal, bazuar në të dhënat e mbikëqyrjes javore.
Që nga fillimi i sezonës së gripit në tetor, IKSHPK ka konfirmuar 52 raste të gripit përmes Laboratorit të Mikrobiologjisë. Disa prej këtyre rasteve kanë qenë të rënda, duke kërkuar shtrirje në spital për trajtim të specializuar.
IKSHPK thekson se vaksinimi është mënyra më efikase për parandalimin e gripit sezonal. Instituti u bën thirrje qytetarëve të vaksinohen në qendrat e vaksinimit (QKMF/QMF) në komunat e tyre, duke përfituar nga vaksina që ofron mbrojtje për rreth një vit.
Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me IKSHPK, ka siguruar 85,000 doza të vaksinës sezonale për sezonin 2024/2025. Deri më tani, janë administruar 61,467 doza për grupet më të rrezikuara, përfshirë:
- Personat mbi 65 vjeç.
- Individët me sëmundje kronike.
- Profesionistët shëndetësorë.
- Gratë shtatzëna.
- Fëmijët nga 0-5 vjeç.
Vaksina është gjithashtu e rekomanduar për grupe të tjera të popullatës, pa dallim moshe.
Përveç vaksinimit, qytetarëve u bëhet thirrje të zbatojnë masa parandaluese kundër përhapjes së virusit, si:
- Larja e duarve shpesh me sapun dhe ujë.
- Përdorimi i maskave në ambiente të mbyllura dhe të mbipopulluara.
- Shmangia e kontaktit të ngushtë me persona të sëmurë.
- Ajrosja e hapësirave të brendshme.