Evidentohen prishje të asfaltit në rrugën “Koshare” në Gelancë dhe atë që lidh fshatin Dubravë-Gjinoc

Më 15 prill 2019 kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, kishte lidhur memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal në shumë rreth 120 mijë euro për ndërtimin e dy rrugëve në Komunën e Suharekës.

Sipas memorandumit është ndërtuar rruga “Yjet e Lirisë” në Budakovë dhe rruga “Koshare” në Gelancë.

Madje për rrugën “Koshare” në Gelancë më datën 31 gusht 2019 kur edhe po asfaltohej Muharremaj i kishte inspektuar punimet duke matur trashësinë e asfaltit.

31 gusht 2019, Rr “Koshare” Gelancë

Më datën 3 gusht 2020 është vërejtur se në pjesë të caktuar të rrugës asfalti ka filluar të prishet. I pyetur nga SuharekaOnline kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, lidhur me përgjegjësitë për prishjet në këtë rrugë ai ka thënë se operatori ekonomik ka përgjegjësi që gjatë periudhës së përcaktuar me kushtet e kontratës e ka afatin e garancionit të kualitetit të punimeve dhe për këtë mban përgjegjësi Operatori Ekonomik.

3 gusht 2020, Rr “Koshare” Gelancë

Sipas kontratës së lidhur me datë 1 gusht 2019 në mes të Komunës së Suharekës dhe Operatorit Ekonomik në rrugën “Koshare” në Gelancë janë investuar 54,245.00 €, ku nga OE është ofruar garancion 1 vjeçar pas pranimit teknik duke siguruar garancion prej 10% të vlerës së kontratës.

3 gusht 2020, Rr “Koshare” Gelancë

E drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Enver Shabani, ka thënë se rruga “Koshare” është ende brenda garancionit.

Prishje më të theksuara të rrugës janë vërejtur në rrugën që lidh fshatin Dubravë me fshatin Gjinoc, rrugë e cila ishte përuruar nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj më 2 shtator 2019.

2 shtator 2019 / Përurimi i rrugës Dubravë – Gjinoc

Edhe për prishjet në këtë rrugë Muharremaj ka thënë se varet se në cilat pjesë të rrugës janë këto plasaritje sepse kjo rrugë është punuar në disa faza, por sidoqoftë masat janë të parapara me kushtet e kontratës ku e obligon Operatorin Ekonomik, që të pergjigjet brenda afatit të garancionit të kualitetit të punimeve, të cilat janë të parapara me kushtet e kontratës. ​

3 gusht 2020, Rr. Dubravë – Gjinoc

Në fazën e fundit për ndërtimin e kësaj rruge nga Komuna e Suharekës ishin ndarë 276,504.44 € ku sipas kontratës të nënshkruar më 11 tetor 2018, Operatori Ekonomik kishte garantuar për periudhën brenda 365 dite nga data e pranimit teknik të punimeve.

3 gusht 2020, Rr. Dubravë – Gjinoc

Për këtë rrugë që lidh fshatin Dubravë me fshatin Gjinoc, Enver Shabani, ka treguar se i ka skaduar garancioni dhe në qoftëse shihet e nevojshme e rregullojmë me sanime.

3 gusht 2020, Rr. Dubravë – Gjinoc
© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.