Ekipet e QKMF-së Suharekë vaksinojnë banorët e Shtëpisë së të Moshuarve në Gjinoc

01.11.2025

Kujdesi për shëndetin e të moshuarve ka qenë gjithmonë ndër prioritetet kryesore të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Suharekë.

Gjatë ditës së premte, ekipet e mjekëve dhe infermierëve kanë zhvilluar një aktivitet human dhe profesional në Shtëpinë e të Moshuarve në Gjinoc – Jetimat e Ballkanit, ku u ofrua vaksina kundër gripit sezonal për banorët e kësaj shtëpie, transmeton SuharekaOnline.

Nga QKMF Suharekë kanë bërë të ditur se ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve sezonale.

“Të moshuarit janë pjesë e pandashme e shoqërisë sonë, një thesar i kujtimeve dhe përvojës. Ne jemi pranë tyre gjithmonë, sa herë që kanë nevojë — me zemër, respekt dhe kujdes të sinqertë,” thuhet në njoftimin e QKMF-së.

Ky aktivitet u prit me shumë falënderime dhe emocion nga të moshuarit dhe stafi kujdestar i shtëpisë, të cilët vlerësuan përkushtimin dhe dashurinë që ekipi mjekësor tregoi ndaj tyre.

QKMF Suharekë ka paralajmëruar se aksione të ngjashme për vaksinimin kundër gripit sezonal do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në zona të tjera të komunës, me qëllim parandalimin e përhapjes së gripit dhe ruajtjen e shëndetit publik.