Buxheti 2021, cilat janë projektet që Bali Muharremaj synon t’i përfundojë në fund të mandatit?

07.10.2020

Para pak ditëve, Asambleja Komunale në Suharekë ka miratuar buxhetin për vitin 2021 të prezantuar nga ekzekutivi në vlerë prej 4,883,176.00 eurove (shpenzime kapitale) nga Granti i të Hyrave Vetanake. Në këtë buxhet kryesisht pjesa më e madhe është dedikuar në Shërbime Publike si ndërtimi i rrugëve lokale, urave, trotuarëve dhe parkingjeve, i hapësirave gjelbruese […]

Buxheti 2021, cilat janë projektet që Bali Muharremaj synon t’i përfundojë në fund të mandatit? Foto: Ilustrim

Para pak ditëve, Asambleja Komunale në Suharekë ka miratuar buxhetin për vitin 2021 të prezantuar nga ekzekutivi në vlerë prej 4,883,176.00 eurove (shpenzime kapitale) nga Granti i të Hyrave Vetanake.

Në këtë buxhet kryesisht pjesa më e madhe është dedikuar në Shërbime Publike si ndërtimi i rrugëve lokale, urave, trotuarëve dhe parkingjeve, i hapësirave gjelbruese etj. që kapin shumën e mbi 3 milionë eurove.

Mbi gjysmë milioni euro janë të dedikuara për Drejtorinë e Bujqësisë ku parashihet ndërtimi dhe ngritja e serave, blerja e pajisjeve për bujqësi (bletari, shpeztari, blegtori, pemtari) etj.

205,000.00 euro janë të ndara për Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që në plan ka renovimin dhe mirëmbajtjen e lapidarëve dhe varrezave të dëshmorëve, ndërtimin dhe renovimin e pesë fushave sportive, rregullimin e parqeve rekreative sportive etj.

Për dallim nga DKRSM-ja, drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale do të ketë buxhetin afër gjysmë milioni euro ku parashihet që të investohet në kujdesin primar në QKMF dhe AMF-të nëpër fshatrat e Suharekës. Nga ky buxhet parashihet blerja e paisjeve laboratorike si: Ultraza për Gjinokologji, CTG, blerja e paisjeve dhe montimi i sistemit të menaxhimit të radhës si dhe shenjave sinjalizuese digjitale, blerja e automjetit për bartjen e personave me Hemodializë, blerja e automjetit zyrtar për QKMF etj. 

Drejtoria e Arsimit do të ketë buxhetin e orientuar kryesisht në ndërtimin e dy sallave sportive në Budakovë dhe Sallagrazhdë, instalimin dhe mirëmbajtjen e kamerave të sigurisë nëpër shkolla si dhe ndërtimin dhe meremitimin e shkollave “Vershec”, “7 Marsi” dhe Komuna.