Biblioteka “Hajdin Berisha” mirëpret nxënësit e “Abdyl Ramaj”
Biblioteka e Qytetit të Suharekës “Hajdin Berisha” ka mirëpritur sot nxënësit e shkollës së mesme “Abdyl Ramaj”, në një vizitë të mbushur me bashkëbisedim, kuriozitet dhe interesim të thellë për librin dhe dijen.
Gjatë qëndrimit në bibliotekë, nxënësit u njohën me hapësirat, fondin e librave dhe mundësitë që ofron ky institucion për lexuesit e rinj, duke shfaqur entuziazëm për literaturën dhe aktivitetet që zhvillohen aty.
Stafi i bibliotekës vlerësoi lartë energjinë dhe interesimin e të rinjve, duke theksuar rëndësinë e këtyre vizitave për nxitjen e kulturës së leximit dhe zhvillimin e aftësive kërkimore te gjeneratat e reja.

“I falënderojmë për vizitën, energjinë pozitive dhe gatishmërinë për të mësuar më shumë. Dyert tona janë gjithmonë të hapura për ju!”, thuhet në njoftimin e Bibliotekës “Hajdin Berisha”.
Ky aktivitet synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve arsimore dhe bibliotekës, si dhe të motivojë të rinjtë që ta shohin librin si mjet të domosdoshëm për formim dhe zhvillim personal.