Bali Muharremaj betohet për mandatin e tretë: Suksesi ndërtohet me bashkëpunim

09.12.2025

Sot, më 9 dhjetor 2025, në mbledhjen inauguruese të Kuvendit Komunal të Suharekës, Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, ka dhënë betimin për të nisur zyrtarisht mandatin e tij të tretë.

Muharremaj, i cili në zgjedhjet e fundit fitoi mbi 55% të votave, u betua para asamblistëve dhe publikut të pranishëm.

Në fjalën e tij, ai theksoi se mandati i ri do të jetë i fokusuar në bashkëpunim, zhvillim dhe transparencë, duke nënvizuar se suksesi i komunës nuk varet nga individët, por nga puna e përbashkët.

Gjatë adresimit para Kuvendit, Muharremaj është shprehur:

Të nderuar qytetarë të Komunës së Suharekës,

Të nderuar anëtarë të Asamblesë,

Të nderuar bashkëpunëtorë, mysafirë dhe miq,

Sot, para jush, me përgjegjësi të plotë morale e institucionale, unë jap betimin tim për t’u shërbyer qytetarëve të Suharekës me ndershmëri, përkushtim dhe transparencë. Ashtu siq ju kam premtuar, ky madat i tretë i dedikohet qytetarëve dhe vendosnërisë së tyre. Ky moment nuk është thjesht formalitet, por një zotim solemn dhe i sinqertë, që do të udhëheqë çdo veprim e vendim timin në drejtim të së mirës së përbashkët. Unë besoj thellë se suksesi i një komune nuk ndërtohet mbi individë, por mbi bashkëpunim, respekt dhe punë të palodhur. Sot, ne jemi të thirrur të bashkojmë forcat për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve, pa dallim, me barazi, me drejtësi dhe përkushtim. Dera ime do të jetë e hapur për secilin prej jush, sepse vendimet më të mira lindin nga dëgjimi i zërit të qytetarit. Suhareka ka potencial të jashtëzakonshëm, njerëz punëtorë, rini të talentuar, të moshuar që mbajnë urtësinë e vendit, gra e burra që ndërtojnë çdo ditë të ardhmen e kësaj komune. Ne po hyjmë në një periudhë ku duhet të forcojmë zhvillimin ekonomik, të avancojmë arsimin, të ofrojmë shërbime më cilësore në shëndetësi, të mbështesim fermerët, bizneset, sportin dhe kulturën, duke e vendosur mbi të gjitha dinjitetin e qytetarit. Para jush sot, unë premtoj se do t’i qëndroj besnik këtij betimi, duke punuar me përkushtim. Do të jem udhëheqës i të gjithëve, sepse Komuna jonë është shtëpia jonë e përbashkët. Duke ju falënderuar për besimin, ju ftoj të gjithëve që të ecim së bashku në këtë rrugëtim.

Me unitet, me punë e me zemër për Suharekën.

Mbledhja inauguruese shënoi fillimin e një kapitulli të ri politik në Komunën e Suharekës, ndërsa Muharremaj u zotua për një mandat me më shumë punë, angazhim dhe projekte në shërbim të qytetarëve.