Bajselmani urdhëron shkollën në Maqitevë që të zbatojë vendimin e qeverisë

15.04.2021

Pas rritjes së vazhdueshme të rasteve pozitive me COVID-19, Qeveria e Kosovës ka marrë masa të reja anti-COVID, ku ndër tjerash procesi mësimor për klasat e 6 deri në ato të 12-ta ka kaluar në mënyrë online. Pavarësisht këtij vendimi, Shkolla Fillore e Mesme e Ulët ”Besim Ndreca” në fshatin Maqitevë të Suharekës , ka […]

Bajselmani urdhëron shkollën në Maqitevë që të zbatojë vendimin e qeverisë Foto: Ilustrim

Pas rritjes së vazhdueshme të rasteve pozitive me COVID-19, Qeveria e Kosovës ka marrë masa të reja anti-COVID, ku ndër tjerash procesi mësimor për klasat e 6 deri në ato të 12-ta ka kaluar në mënyrë online.

Pavarësisht këtij vendimi, Shkolla Fillore e Mesme e Ulët ”Besim Ndreca” në fshatin Maqitevë të Suharekës , ka vazhduar mësimin në mënyrë fizike.

Lajmin për SuharekaOnline e ka konfimruar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, togeri Shaban Osmanollaj, i cili ka thënë se gjatë ditës së mërkurë policia ka pranuar një informacion se në SHFMU ”Besim Ndreca” në fshatin Maqitevë është duke mbajtur mësim me nxënësit e klasave të ciklit të lartë (6-9).

Osmanollaj ka thënë se policia e ka takuar drejtorin e shkollës dhe se i njëjti ka informuar se në bashkëpunim me Këshillin e Prindërve dhe Këshillin e Arsimtarëve kishin marrë vendim që të vazhdojnë mësimin në shkollë për shkak se nuk kishin pasur kushte që mësimin ta vazhdojnë në mënyrë online, duke u bazuar në mungesën e rrejtit e të internetit dhe se të njëjtit nuk ishin të pajisur me pajisje elektrike për sistemin online.

Për rastin në fjalë është njoftuar edhe prokurori i shtetit i cili ka kërkuar që ky rast të hetohet në procedurë të rregullt.

Poashtu, gjatë ditës së enjte SuharekaOnline ka kontaktuar edhe drejtorin e Arsimit në Komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani, i cili ka thënë se lidhur me këtë rast është njoftuar gjatë ditës së mërkurë nga drejtori i shkollës, i cili i ka treguar se në ditën e parë të mësimit në mungesë të kushteve shumica e nxënësve nuk kanë pasur mundësi që të mbajnë mësimin në formën online, andaj edhe kanë vendosur që të mbajnë mësim në mënyrë fizike.

Bajselmani ka treguar se DKA-Suharekës SHFMU-së ”Besim Ndreca” në Maqitevë i ka ridërguar vendimin e Ministrisë së Arsimit ku shkolla njoftohet për mënyrën e procesit mësimor dhe se e ka urdhëruar që të zbatojë atë vendim, në të cilin thuhet se klasat 6-9 procesin mësimor duhet ta zhvillojnë sipas skenarit ”C”, mësim online.

Drejtori i DKA-së në Suharekë, Remzi Bajselmani ndër tjerash ka thënë se si drejtori po presin një vendim nga prokuroria e shtetit për të vazhduar me hapat e tjerë.

Bajselmani për SuharekaOnline poashtu ka bërë të ditur se Shkolla Fillore e Mesme e Ulët ”Besim Ndreca” në Maqitevë ka gjithsejt 32 nxënës të cilët janë në klasat 6-9 dhe 40 nxënës në klasat 1-5.