22 vite nga masakra e familjes Berisha, Haradinaj përuron muzeun dhe bën homazhe

26.03.2021

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, mëngjesin e së premtës në 22-vjetorin e masakrës nga forcat serbe ndaj familjes Berisha, ka vendosur kurora lulesh te Lapidari i Martirëve në Suharekë. Haradinaj tha se këto ditë janë të dhimbshme jo vetëm për familjet dhe Suharekën, por për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. “Ne i bashkohemi dhembjes […]

22 vite nga masakra e familjes Berisha, Haradinaj përuron muzeun dhe bën homazhe Foto: Ilustrim

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, mëngjesin e së premtës në 22-vjetorin e masakrës nga forcat serbe ndaj familjes Berisha, ka vendosur kurora lulesh te Lapidari i Martirëve në Suharekë.

Haradinaj tha se këto ditë janë të dhimbshme jo vetëm për familjet dhe Suharekën, por për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.

“Ne i bashkohemi dhembjes së familjes sepse kjo nuk është dhimbje vetëm e familjes të cilës i mungojnë më të dashurit e tyre, në këtë rast edhe fëmijë nga një, dy e tre vjeç, dhe kjo është e dhimbshme. E vërteta që ende trupat e tyre nuk janë kthy dhe nuk dihet për fatin e tyre, prandaj janë ditë të dhimbjes jo vetëm për familjen, për Suharekën por janë ditë të dhimbjes kudo që jetojmë ne. Kjo dhimbje do të mbahet gjallë që ta dinë brezat që liria dhe shteti e ka çmimin e vet”, ka thënë Haradinaj.

Më pas Haradinaj së bashku me Kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj dhe bashkëpuntor të tjerë kanë bërë homazhe edhe te Kompleksi Memorial i Familjes Berisha dhe në varrezat e Dëshmorëve.

Për nderë të 22 vjetorit të kësaj masakre Fondacioni Golden Eagle me pronar Shaqir Palushi ka hapur edhe një muze në lokalin ku janë vrarë 52 antarë të familjes Berisha në qendër të qytetit.

Rikujtojmë se 22 vite më parë, forcat serbe, fillimisht kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të rreth 52 anëtarëve të familjes Berisha, e më pas viktimat e të plagosurit i kishin bartur në një kafiteri, ku i kishin gjuajtur me bomba, për t’u siguruar se askush s’do të mbijetojë.

Nga kjo masakër kanë mbijetuar tre anëtarë të familjes, Vjollca Berisha me të birin, Gramozin dhe Shyhrete Berisha.