Zvicra përzgedh tre lojtarë shqiptarë për ndeshjen kundër Kosovës

05.11.2025

Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, ka shpallur listën e lojtarëve për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Në raundin e ardhshëm të kualifikimeve, Zvicra do të presë Suedinë më 15 nëntor në Gjenevë, ndërsa më 18 nëntor do të udhëtojë në Prishtinë për të përballuar Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Një element i veçantë i listës është përzgjedhja e tre lojtarëve shqiptarë për ndeshjen kundër Kosovës. Nga këta, kapiteni Granit Xhaka nuk mungon në asnjërën ndeshje, ndërsa bashkë me të janë përfshirë edhe Adrian Bajrami dhe Andi Zeqiri, të cilët pritet të jenë pjesë e skuadrës për duelet vendimtare.

Pas xhirove të fundit të grupit, Zvicra udhëheq me 10 pikë, ndërsa Kosova ka 7 pikë, Sllovenia 3, dhe Suedia vetëm 1 pikë. Vendi i parë në grup ofron kualifikim direkt në Botëror, ndërsa vendi i dytë dërgon në barazh.

Nëse Zvicra nuk fiton ndaj Suedisë dhe Kosova triumfon ndaj Sllovenisë në Lubjanë, në ndeshjen në “Fadil Vokrri” do të vendoset gjithçka për vendin e parë dhe për kualifikimin direkt në Kupën e Botës 2026, duke e bërë këtë duel një finale direkte për të dy kombëtaret.