FSHF-ja uron Kosovën për kualifikimin historik në play-off pas fitores ndaj Sllovenisë
Kosova ka arritur një sukses historik në stadiumin “Stozice” të Lubjanës, ku mbrëmë triumfoi me rezultat 0-2 ndaj Sllovenisë, duke siguruar për herë të parë kualifikimin në play-off të një Botërori.
Foto: Ilustrim
Fitorja erdhi falë golit të Asllanit dhe autogolit të Karnicnik, duke bërë që “Dardanët” të shkruajnë një kapitull të ri në historinë e futbollit kosovar.
Lidhur me këtë arritje madhore, ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), e cila përgëzoi Kosovën për suksesin e arritur.
Në postimin e saj, FSHF shprehet:
“FSHF përshëndet me gëzim dhe emocion të veçantë arritjen historike të Kosovës, që për herë të parë siguron vendin në PLAY-OFF të një Botërori. Kjo sigurisht është një fitore që e ndjen çdo shqiptar, kudo që jeton dhe, ashtu siç theksoi edhe Presidenti Armand Duka, është një moment i dyfishtë krenarie për kombin tonë. Urime Federatës së Futbollit të Kosovës dhe gjithë ekipit drejtues për këtë sukses të jashtëzakonshëm! Le të vazhdojmë të ëndërrojmë bashkë dhe të shkruajmë histori në futbollin shqiptar.”
Ky është një kapitull i ndritur për Kosovën, por edhe për futbollin shqiptar në tërësi. Ashtu si Kosova, edhe Kombëtarja Shqiptare siguroi kualifikimin në play-off, pas fitores minimale 0-1 ndaj Andorrës të enjten, duke mbyllur me sukses Grupin K në pozitën e dytë.
Futbolli shqiptar po përjeton momente historike — dhe kjo e dielë do të mbahet mend gjatë nga tifozët mbarëkombëtarë.